Është apo nuk është BE – ja, për respektimin e Ligjit në Kosovë?!
Shkruan: Ismajl Kurteshi
Integrimi përmes privilegjeve nuk është integrim është përfitim.
Njëri ndër kushtet e Bashkimit Evropian për vendet që synojnë të bëhen pjesë e BE-së është funksionimi i ligjeve në vendet që aplikojnë për anëtarësim në BE.
Gjatë ditëve të fundit BE-ja dy herë ka reaguar në lidhje me dy vendime të institucioneve të Kosovës.
Në rastin e parë BE-ja është deklaruar kundër vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës në lidhje me kërkesën e ish – prokurorëve të nacionalitetit serb, që ishin dorëhequr në vitin 2022 dhe që nga ajo kohë, nuk kishin shkuar në punë, por tani pas katër viteve, i kishin tërhoqën dorëheqjet e tyre dhe po kërkojnë të rikthehen në punë, por pa iu nënshtruar konkursit.
Kërkesës së paligjshme të ish – prokurorëve, KPK-ja i ka dhënë përgjigje në përputhje me ligjin. Secili që dëshiron të kthehet në vendin e punës nga i cili është larguar me vetë dëshirë duhet t’i nënshtrohen konkursit në kushte të barabarta me kandidatët e tjerë që konkurrojnë pas shpalljes së konkursit.
Për habi BE-ja kërkon zgjidhje në kundërshtim me ligjin me arsyetimin se vendimi i KPK-së e pengon integrimin e serbëve në Kosovë, të cilët as atëherë kur ushtronin detyrën e prokurorëve të shtetit nuk ishin të integruar, përndryshe nuk ishin dorëhequr me kërkesën e shtetit të Serbisë. Kthimin pa konkurs, ligji nuk ja lejon askujt.
Në rastin e dytë BE-ja reagoi pas rrënimit të vilave të disa qytetarëve të nacionalitetit serb të ndërtuara pa leje ndërtimi, në prona të uzurpuara.
Kohë më parë në Prevallë janë rrënuar rreth 50 vila të pronarëve shqiptarë, të ndërtuara pa leje në prona publike, atëherë nuk ka pas asnjë reagim nga BE-ja dhe mirë që nuk ka pas, sepse si në rastin e parë ashtu edhe në këtë të dytin është vepruar drejt.
Integrimi përmes privilegjeve nuk është integrim por është përfitim. Kjo formë e “integrimit” është zbatuar disa herë në Kosovë pas okupimit të Kosovës nga Serbia që në vitin 1912. Në vitet e para pas okupimit, mbreti i Serbisë ka sjellë shumë kolonë serbë të cilëve iu pati dhënë toka e shtëpi të shqiptarëve, derisa shqiptarët i dëbonte për në Turqi. Shumica e tyre, pas një kohe, i shitën pronat dhe u kthyen në Serbi.
Pas luftës së Dytë Botërore, serbët janë sjellë në Kosovë si kuadro deficitare, shteti ju ka dhënë atyre banesa dhe vende pune. Puna e shumicës së tyre ka qenë maltretimi dhe përndjekja e shqiptarëve. Por më pas, pothuajse të gjithë ata që përfituan, i shitën banesat dhe u kthyen në Serbi.
Pas luftës së fundit 1998/99, shumë shtëpi janë ndërtuar për të shpërngulurit, pjesa më e madhe e këtyre shtëpive u janë dhënë serbëve të cilët shtëpitë e tyre ia patën shitur shqiptarëve para lufte, siç i shitën edhe këto që i fituan pas luftës.
Serbët në pjesën veriore të Kosovës mbi 20 vite nuk e kanë paguar rrymën që e kanë shpenzuar, shpesh edhe pa nevojë. Disa prej tyre kanë marrë të ardhura të rregullta mujore pa shkuar në punë, siç është rasti me deputetët serbë e shumë raste të tjera nëpër ministri e komuna.
Këto janë vetëm disa nga privilegjet e panumërta që serbet i kanë gëzuar dhe po i gëzojnë në Kosovë por pak nga këta po integrohen.
Integrimi nuk po ndodh kryesisht për shkak të ndërhyrjes, joshjes dhe presioneve nga Serbia, por edhe për shkakun se serbët në Kosovë kanë qenë përherë të privilegjuar dhe barazinë me shqiptarët e përjetojnë si diskriminim.
Është koha që qytetarët serb të mësohen të jetojnë të barabartë me të tjerët dhe të kontribuojnë në zhvillimin e gjithmbarshëm të Republikës së Kosovës e jo të bëhen pengës e zhvillimit të saj. Në këtë drejtim duhet t’ju ndihmoj edhe Evropa.
Reagimet e fundit të BE-së janë në kundërshtim me parimet dhe praktikat e BE-së si dhe normat ndërkombëtare. BE-ja duhet t’i inkurajojë Institucionet e Kosovës që pavarësisht situatës të veprojnë në përputhje të plotë me ligjin dhe të kërkojnë trajtim të barabartë të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Kosova nuk guxon t’i pranoj kërkesat e atyre kategori të qytetarëve, që e kushtëzojnë integrimin me dhënje të privilegjeve, sepse është dëshmuar se të privilegjuarit nuk janë të interesuar për integrim dhe se privilegjet me automatizëm prodhojnë padrejtësi. /2LONLINE/
