DYLON

Erzeni, edhe jashtë ringut, pika e djalit!

Avatar photo Redaksia

/2L ONLINE/ – Djaloshin nga Zhegra e Gjilanit, Erzen Rrustemin, e ringut të boksit, tani e njohin të gjithë. Ai është bërë krenaria e kombit, duke na bërë krenarë me performacën e tij, me fitoret që po i radhit, një nga një, në boksin profesionit, duke bërë që të valëvitet kudo flamuri me shqiponjë dykrerësh dhe duke i bërë krenar të gjithë shqiptarët kudo që jetojnë dhe veprojnë.

Por, ai edhe jashtë ringut është pika e djalit. Një djalë që rrezaton mirësi, dashuri, ndjesi dhe mbi të gjitha atdhetarizëm të hapur. Një djalosh që e do shumë atdheun, kombin, vendlindjen, andaj edhe shpesh lë Zvicrën ku jeton dhe vepron dhe vije sa herë që mund në vendlindje, por viziton edhe viset tjera shqiptare. Thotë se nuk ka si vendlindja, nuk ka si Kosova, por se shton se njëjtë ndjehet edhe kur viziton Tiranën, apo viset tjera shqiptare, për të cilat po ashtu ushqen dashuri të madhe.

EkoHigjiena

Ai edhe tani ka ardhur në vendlindje, ku thotë se po kënaqet. Por, cili është Erzeni jashtë ringut të boksit, flet vet ai në një bisedë ekskluzive për Portalin 2LONLINE. Ai pranon me kënaqësi një bisedë ku shumë pak do të flitet për boksin për meçet e tija, për kundërshtarët… pasi duam ta japim një tablo tjetër të Erzenit, të atij jashtë ringut, të Erzenit pa dorëzat e boksit ngjeshur, me të cilat po i dërmon kundërshtarët.

Dhe, menjëherë nis një histori e trishtë, që të prekë. Një djalosh modest që edhe nga flet të bënë përshtypje, se si mundet një djalosh me kaq butësi në të folur, ta ketë goditjen aq të fortë sa që t’i plandos kundërshtarët në dyshemenë e ringut?!

Lindi në Zhegër të Gjilanit në vitin 1983. Fati deshi që si i vogël, 3-4 vjeç të mos e kishte babën afër, pasi ai ishte një nga shumë kurbetçarët që kishte dal në kurbet, në Zvicër. Dikur edhe nëna i shkon në këtë shtet helvetik, por ndonëse larg të dy prindërve, ai shprehet se përveç mallit, dashuria nuk i ka munguar, sepse nga viti 1986/87 deri më 1993, jetoi me gjyshin dhe axhalllarët, nga të cilët merrte po aq dashuri, sa që është ajo prindërore. Tek, në vitin 1993, mund të bashkohet me prindërit në Zvicër, duke lënë vendlindjen dhe të afërmit e tjerë të dashur.

A e dini që Erzenit nuk ja ka dashtë futbolli?!

Erzeni kujton këshillat e xhaxhait, Sabit Rrustemit, bërë prindërve të tij, se për shkak të integrimit më të mirë në shtetin zviceran, fëmijët do të duhej të përkushtoheshin në fusha të ndryshme të sportit. Kjo edhe ndodhi. Ai flet se si bashkë edhe me dy vëllezër të tjerë, ia nisën futbollit. Por, e pranon se nuk ia donte, andaj e la! Erzeni thotë se ka kujtesë të mirë të moshës rinore, i kujtohen shumë lojërat nëpër oda, sidomos ato ku përveç shkathtësisë nevojitej edhe fuqia. Ia dilte mbarë. Ndoshta në gjenin e tij pikërisht ishte e kalitur dashuria për sportet luftarake, që kjo u shpërfaqë kur ai ia nisi të merrej me karate.

Fillimisht me karate, për të kaluar në kickbox e për të dal në boks

Erzeni, ushtroi pak vite karate, pastaj kickbox dhe në fund i veshi dorëzat e boksit. E në këtë trasim të rrugës së tij, pikë të dobët i kishte dy emra të mëdhenj të boksit, Nuri Seferin dhe Luan Krasniqin. Ai edhe tani kur i përmend këta emra shihet në sytë e tij sa shumë i çmon. Natyrisht thotë ai tani ka plotë talentë edhe në fusha tjera ku sportistët shqiptarë anekënd botës janë të dëshmuar, por atëherë këta dy emra bënin që ai të ndihej krenar.

Tani, thotë se ka më tepër se katër vite që është pjesë e Ligës Profesionale të Boksit dhe se nga 1200 boksierë  është i 78-ti në ranglistë në botë, por se kjo e arritur është e veçantë edhe për faktin se këtë sukses e ka veç me 11 meçe. Ai thotë se që të gjitha i ka të fituar, nëntë prej tyre edhe me KO. Është kampion Evrope në WBU. Numër 1 n’Zvicër.

Kundërshtarëve nuk ia ka fare frikën, aeroplanit po!

Por ta lëmë boksit dhe ta të tregojmë atë se si Erzeni udhëton në vende të ndryshme të botës, por natyrisht, shprehja e tij më e preferuar është “Nuk ka si vendlindja, nuk ka si vendi yt”. Andaj ai vije shpesh,por këtu e tregon edhe një gjë që ndoshta shumë kush nuk e di. Ia ka frikën aeroplanit! Qesh dhe thotë se erdhi me veturë edhe kësaj here. Erdhi në vendlindje ku i ruan kujtimet më të mira. Ai thotë se këtu u brymos me kulturën dhe traditën tonë, për të qenë edhe sot një “Karadakli”. “Me besën e nderin e Karadakut”, shprehet ai.

Ushqimi, leximi, poezia…!

Si sportistë profesionist natyrisht thotë të jetë nën regjim të asaj çfarë e konsumon. Gjashtë ditë të javës thotë se e respekton atë regjim të ushqimit, ndërsa një ditë e ka të lirë, e kur të jenë këtu në Kosovë thotë se shkrihet atë ditë në ushqimet tradicionale. Mi ka ënda shumë ushqimet tona thotë ai. Ndërsa, kur jemi te leximi thotë se i pëlqejnë shumë librat psikologjik, romanet, libra me poezi, sa herë që ka mundësi, i lexon. E kur jemi te poezia, ai qesh duke pranuar se ka vargje që i ka shkruar edhe dora e tij, por për momentin ato mbesin përbrenda vetvetes së tij.

Për çka është “dembel” Erzeni!

Erzeni, ky boksier i madh i yni, nuk është vetëm i fortë në ring, por del të jetë edhe në kuzhinë e punë tjera të shtëpisë, ani se ja ka pak mërzi me u dëshmua aty. Thotë se di me gatu, me zi, me qëndisë e shumë punë të tjera, por me shaka shprehet se “nuk i ka hije burrit me i shti duart në brumë”. Pastaj sqaron me buzëqeshje kampioni, se njëmend i di mirë këto punë, por pak është dembel dhe e praktikon rrallë të gatuaj vet.

Djaloshi që dehet në aromë luleje

Erzeni më endje flet edhe për lulet. “Sporti më ka qetësua, më ka ofrua paqe shpirtërore. Jam njeri i ditës, zgjohem herët dhe dal shëtis, kënaqem edhe në aromë luleje kur shoh kopshte të rregulluara mirë”, thotë ai.

Shqipëria vs Zvicra!

Erzeni thotë se e përcjellë kampionatin evropian në futboll. Por, për shkak që ishte në atë moment duke udhëtuar, thotë të ketë mundur të ndjek takimin Shqipëri- Zvicër, herë pas here, në telefon. I pyetur tifoz i kujt ishte, ai thotë se respekton Zvicrën për krejt çfarë ka ofruar për të dhe familjen e tij dhe për krejt shqiptarët, por shton se ai që nuk e do atdheun e tij, nuk mund ta dojë një vend tjetër. Pas kombëtares shqiptare që do ta mbështetë deri në fund dhe i dëshiron të arrijë sukses sa më të madh, shton se do të jetë pastaj edhe kombëtarja e Zvicrës për të cilën do të anojë.

“Shqipëria po na bënë krenarë dhe ne duhet të jemi krenarë me atë kombëtare. Natyrisht edhe shqiptarët që luajnë për Zvicrën na bëjnë krenar sepse bëjnë shumë për kombin tonë”, thotë ai. Ka respekt për të gjithë ata lojtarë që kanë bërë dhe bëjnë që në Zvicër shqiptarët të ndihen krenar.

Ndërsa, i pyetur se a është në dijeni se Komuna e Gjilanit pritet ta shpallë “Qytetar Nderi”, pohon pozitivisht, duke thënë se ndihen jashtëzakonisht i lumtur për këtë nderim që ia bënë vendlindja e tij dhe se edhe ai po mundohet përherë që me rezultatet e tija ta nderojë vendlindjen dhe atdheun e tij dhe se nuk heziton sa herë që i jepet mundësia nëpër media të ndryshme ta përmend Gjilanin, vendlindjen e tij, Kosovën.

I pyetur se si dëshiron ta përmbyllim këtë bashkëbisedë, Erzeni thotë se është një shprehje që e përsërit shpesh dhe do të donte ta thoshte edhe tani në këtë intervistë të tij për Portalin 2LONLINE.

“Puno për vendin tënd çdo ditë, për të pas kuptim jeta jote” /2L ONLINE/