DYLON

Erozion kombëtar e shtetëror!

Erozion kombëtar e shtetëror!
Avatar photo Redaksia

Shkruan: Ardian Azemi

Kosova sot ka mungesë të thellë të vetëdijes kombëtare dhe shtetërore, e kjo shihet në përditshmëri. Një shoqëri ku interesi personal vendoset mbi interesin e shtetit, ku korrupsioni tolerohet sipas partisë që e bën, ku të rinjtë ëndërrojnë ikjen dhe jo ndërtimin e vendit, nuk mund të pretendojë se ka vetëdije të shëndoshë shtetërore.

EkoHigjiena

Nuk ka vetëdije të fortë kombëtare aty ku flamuri përdoret vetëm për vota e fjalime, ndërsa në praktikë përçahen shqiptarët mes vete për interesa politike. Nuk ka vetëdije shtetërore aty ku sulmohen institucionet vetëm pse nuk kontrollohen nga partia jonë, apo ku ligji respektohet vetëm kur na leverdis.

Shteti nuk dobësohet vetëm nga armiqtë e jashtëm. Ai rrënohet kur qytetari humb ndjenjën e përgjegjësisë ndaj vendit të vet. Kur heshtet për padrejtësitë, kur mediokriteti shpërblehet, kur hajnia relativizohet dhe kur propaganda zë vendin e së vërtetës, atëherë kombi fillon të humbë busullën.

Kosova ka nevojë urgjente për rikthimin e vetëdijes kombëtare dhe shtetërore, jo si folklor e patriotizëm sezonal, por si kulturë përgjegjësie, dinjiteti dhe sakrifice për të ardhmen e vendit.  /2LONLINE/