Nga: Ismet Azizi
Shtrirja e Sanxhakut, përkatësisht pozita gjeografike ka ndikuar që kjo krahinë të veçohet si hapësire e jetës së përbashkët të disa popujve, por edhe e “konflikteve disa shekullore ndëretnike, e kacafytjeve dhe e përgjakjeve ilire-shqiptare me ardhësit sllav të jugut në Iliri (Ballkan).
Nga ardhja e tyre e deri në shekullin XIV, sidomos në shekujt XIII-XIV, ky konflikt është acaruar dhe zgjeruar, siç thotë historiani A. Buda (1986), në kohën e forcimit të pushtetit feudal qendror serb të dinastisë së Nemanjiqëve. Edhe epikologu gjerman M. Lambertz (1958) pajtohet se këto këngë «rrjedhin nga koha e dyndjes së sllavëve nëpër Danubin e Poshtëm në Ballkan dhe ruajnë ende kujtimin e luftërave të vjetra të ilirëve ose shqiptarëve kundër sllavëve që u dyndën në kohën rreth vjetëve 700-800».
Këto këngë janë ndër eposet e fundit aktive në Evropë në fillim të këtij mijëvjeçari dhe me të drejtë thuhet se e kanë vendin në arealin e epikës botërore”.
Rrafshnalta e Peshteri me rreth 200 vendbanime të banuara nga fiset shqiptare, prej kohësh ka qenë çerdhe dhe thesar i lahutarëve. Deri në fund të shekullit të XVII ky rajon është karakterizuar me homogjenitet etnik, të cilin më vonë do të ndërpresin vendosjet gjithnjë e më të shpeshta, trazirat dhe migrimit masive.
Migrimet janë intensifikuar veçanërisht pas formimit të Sanxhakut të Pazarit të Ri (1877), gjegjësisht pas shkëputjes së tij nga Vilajeti i Bosnjës dhe bashkimit me Kosovën. Kështu, rezulton në Peshter përzierja e kulturës lokale dhe shpirtërore me atë të të ardhurve nga Hercegovina, bregdeti malazez dhe nga muhaxherët tjerë boshnjak që arritën nga vendet e okupuara nga Serbia në vitin 1878.
Kjo lëvizje e popullsisë ka shënuar ndikim të madh në fushën e kulturës gojore epike që gradualisht depërtoi në shtëpitë e popullsisë lokale shqiptaro-myslimane.
Nuk janë të panjohura këngët e kreshnikëve të cilat u kënduan jo vetëm te Shqiptarët por që u bartën edhe te boshnjakët. Në përhapjen e këngëve epike, te Boshnjakët ndikuan lahutarët e Sanxhakut për të cilët Robert Elsi e thot: “Është interesante të vihet re se katër, prej pesë këngëtarëve që përmenden në dy vëllimet qenë shqiptarë: Sali Uglani (Salih Ugljanin),Xhemal Zogiq (Djemal Zogić), Sulejman Makiq (Sulejman Makić) dhe Ali Fulani (Alija Fjuljanin).
Në Amerikë, në Universitetin e Harvardit, Milman Parry, për disa vite rresht ka botuar libra (1933, 1934 dhe 1935), kryesisht të letërsisë gojore të traditës myslimane-boshnjake. Milman Parry-it i është bashkuar edhe Albert B. Lordi dhe së bashku kanë mbledhur, materiale jo vetëm në Sanxhak por edhe në B e H. Te ne në Kosovë dhe Shqipëri, përveç prof Zymer Neziri nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, i cili ka ngritë zërin për ndriçimin dhe përmirësimin e gabimeve që ka bërë Universiteti i Harvardit, përpjekje tjera nuk ka pasur,
Prof. Neziri në intervistën dhënë autorit të punimit përshkruan edhe bisedën të cilën e ka zhvilluar Profesori nga Harvardi, me S. Ugllën, i cili dëshmon para tij përkatësinë e tij etnike shqiptare, duke ia përshkruar shkuarjen e tij të parë te familja e gruas së tij të dytë e cila nuk ishte shqiptare. Para këtij rrëfimi, i cili është i incizuar dhe ruhet në Harvard, profesori amerikan kupton se ka të bëjë me një popull i cili nuk është sllav, e që vetëm rastësia i ka bërë të ngjashëm dhe jetojnë së bashku në këto treva. Pas kësaj ngjarje profesori e porositë asistentin e tij që të vazhdojnë studimet për shqiptarët.
Ragip Sijariqi, nga fshati Shipovicë, në të cilin fshat me lahutë është kënduar nëpër ndenja dhe janë treguar tregime sipas traditës në kontuinintet nëpër gjenerata dhe në kohën e Avdo Mexhedoviqit janë mbajt edhe gara për lahutarë. Duke folur për lahutarin Xhyl Bahon (Bahović), thotë: “Lahutë në Sanxhak mos kërko, sepse pothuajse çdo shtëpi ka dhe i ruan si hajmalitë. Ato ruhen në vende të veçanta, në ballë të oxhakut në rafte me libra të vjetra dhe me ato të shenjta”.
Në Peshter, të gjithë banorët i punojnë me mjeshtri dhe dashuri lahutat me të cilat ekzekutojnë shkëlqyeshëm këngët e “reja dhe të vjetra”. Në kontekst të këtij referimi potencoj se në shkurt të viti 2005 në Velepole të Tutinit kam prezantuar në një këndim epik boshnjak, në një shfaqje lokale në të cilën, me programin e tyre morën pjesë lahutarët popullor dhe këngëtarët ekëngëve heroike, duke ekzekutuar me kavall dhe duke kënduar këngë “Dy nga dy”, edhe at vetëm meshkujt- sipas melosit të vjetër peshteras (shqiptar v I. A).
Salih Ugljanini tregon se shumë lahutar kanë ushtruar dhe kanë arritur të bëhen të mirë falë “shortimit” dhe duke dëgjuar të famshmin dhe të verbrin në njërin sy, Qorr Hysën nga Kollashini, i cili ishte mysafir i përhershëm në fshatrat e Peshterit. Në vitin 1953, prof. Beliq nga Beogradi ka bërë marrëveshje me Kembrixhin për botim të këngëve. Lordi, siç ka shkruar parathënien e librit, e ka dërguar dorëshkrimin në Beograd por Beliq ka hequr 10 rreshta, pjesën ku bëhet fjalë për lahutarët dygjuhësor-bingual.
^^^
/Sanxhaku i Pazarit të Ri në fokusin e së kaluarës Mr. Ismet Azizi/
Lahutarët e Sanxhakut të Pazarit të Ri
Kumtesa të simpoziumit shkencor, mbajtur më 8.9.2018, në Institutin Albanologjik, Prishtinë
Instituti Albanologjik, Prishtinë Shoqata “Kosova për Sanxhakun”, Prishtinë