DYLON

Epopeja e UÇK-së, e datave 5, 6 dhe 7 Mars, është krenaria jonë kombëtare

Epopeja e UÇK-së, e datave 5, 6 dhe 7 Mars, është krenaria jonë kombëtare
Avatar photo Redaksia

Nga: Krenare Latifi Kqiku – /Kryesuese e Kuvendit Komunal të Gjilanit. Fjala e saj në Seancën Solemne kushtuar Epopesë së UÇK-së/

***

EkoHigjiena

Jemi mbledhur sot në këtë seancë solemne për të nderuar Epopenë e lavdishme të Jasharajve.

Sot, mbarë kombi shqiptar përkulet me nderim të thellë para sakrificës sublime të Komandantit legjendar Adem Jashari, familjes Jashari dhe bijve e bijave të Kosovës që u flijuan në altarin e lirisë.

Beteja epike e familjes Jashari, me në krye Komandantin legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ku pleq, gra e fëmijë sakrifikuan jetën, vuri gjakun e gjithë familjes Jashari në themelet e Kosovës së lirë dhe të pavarur.

Se sa i shtrenjtë është çmimi i lirisë, më së miri e dëshmoi familja Jashari para 28 vitesh, me sakrificën e tyre vetëflijuese. Ata i treguan mbarë botës se liria e popullit tonë është e shenjtë dhe paguhet shtrenjtë.

Epopeja e UÇK-së, e datave 5, 6 dhe 7 Mars, është krenaria jonë kombëtare. Lufta e lavdishme për lirinë e Kosovës, gjaku i dëshmorëve dhe sakrifica e martirëve tanë janë themeli i fortë mbi të cilin ndërtohet e sotmja dhe e ardhmja e popullit të Kosovës dhe e shqiptarëve kudo që ndodhen.

Sot, pas 28 vitesh, në Kosovën e lirë dhe të pavarur, fëmijët tanë, nga çerdhet, shkollat fillore e të mesme, me krenari e lavdi mësojnë këngë e poezi për familjen dhe heroizmin e Jasharajve.

Sot, Prekazi vizitohet nga qindra e mijëra shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare si vendi i shenjtë i sakrificës, i cili u bë shembull unik në historinë më të re të Kosovës.

Lavdi për jetë Komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, dhe heronjve të Prekazit!

Lavdi bijave dhe bijve të Kosovës dhe të mbarë kombit shqiptar që derdhën gjakun e tyre në themelet e Kosovës së lirë dhe të pavarur!  /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.