DYLON

Epiqendër e frymëzimeve të tija mbesin atdheu dhe përditshmëria e tij

Epiqendër e frymëzimeve të tija mbesin atdheu dhe përditshmëria e tij
Avatar photo Redaksia

Shkrimtari gjilanas, Mehmetali Rexhepit këtë vit solli tri botime të reja, romanin “Hirësia e motit” dhe librin me poemtha, “Hirësia e flluskuar”, si dhe nga publicistika, monografinë ” Selatin Novosella – kronist i malbrezave”.

Duke folur për të, shkrimtari Sabit Rrustemi ka thënë se ai me 66 vite jetë e 45 vite krijimtari letrare, duket se pikërisht tash është në kulmin e krijimtarisë. “Vetëm këtë vit solli tri botime të reja, romanin “Hirësia e motit” dhe librin me poemtha, “Hirësia e flluskuar”, si dhe nga publicisitika, monografinë ” Selatin Novosella – kronist i malbrezave”. Ndërsa më herët, edhe librin me ese, “Enigma e magjikës dhe, vëllimin poetik ” Frymë e fërguar mynxyrave”. Dosido, këto prurje të reja, domosdo të detyrojnë për t’i vlerësuar”.

Përndryshe, për veprat e Mehmetali Rexhepit, u fol edhe në aktivitetin organizuar në kuadër të Manifestimit “Vjeshta letrare e Gjilanit”, ku me vlerësime për prozën e tij folën prof. dr. Hysen Matoshi, drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe kritiku letrar, Prend Buzhala ( kumtesën e të cilit e lexoi Ramadan Myrtaj ). Kurse, për poezinë, me vështrime u paraqitën Sherafedin Kadriu e Sarë Gjergji, të cilët kryekëput u përqendruan në librin me poemtha që u botua këtyre ditëve nga Shtëpia Botuese gjilanase, “Sogjetime”.

EkoHigjiena

Me një vështrim të thuktë rreth monografisë “Selatin Novosella – kronist i malbrezave, u paraqit poeti dhe kritiku letrar, Nexhat Rexha. Kurse me deklamime u paraqitën, Xhezide Selimi e Ramadan Myrtaj.

Ishte vlerësim i përbashkët i referuesve se, shkrimtari Mehmetali Rexhepi, si në poezi, në prozë po edhe në eseistikë, ka sjellë vepra të arrira për nga niveli artistik dhe ai përmbajtjesor, ku epiqendër e frymëzimeve të tija mbesin atdheu dhe përditshmëria e tij.

Ndërsa, Mehmetali Rexhepi përveç falënderimeve  për të gjithë ata që u angazhuan në këtë aktivitet  kulturor-letrar ku u vlerësua  krijimtaria e tij letrare, iu është adresuar me një fjalë edhe miqve të librit, lexuesve.

Fat tjetër për librin

Miq të çmuar të librit!

Shkrimi merr shtytje brenda dy faktorësh: faktorit kohë dhe jetë. Faktori i parë me shumëçka e kushtëzon të dytin… Njeriu i shkrimit është rob i kërkesave dhe kërshërive të tija, andaj bezdia e tij mund të të prishte edhe me më të dashurën e jetës…

Jeta hap hulli dhe lyp të mbjellat e saj. Të mbjellat kërkojnë farë cilësore, mandej: as thatësi, as ligatinë, diell dhe shi, as për tu djegur, as për tu kalbur. Korrjen dhe shirjen e të mbjellave e bëjmë së bashku me lexuesin.

Brenda faktorit kohë, nga e mbjella deri te korrja a vjelja, futen gafe dhe skajshmëritë e stinëve, humb vrullin prirja, zbehet pamja e ndjeshmërisë, kallinjtë e ideve mund të mos jenë veshur me kokrra frutash, shkunden nga shtrëngatat e motit dhe të njeriut…

Shkrimi ka çmimin e jetës. Për tu bërë libër, shkrimi ka koston e vet, por kostoja më e shtrenjtë është mos leximi, injorimi i librit.

Lexues të çmuar! Ju bëni dhe zhbëni shkrimtarët! Pohimi kapet si konstatim paradoksal, por pa ju: miq lexues, ne do të bënim monologun e pa fund të pritjes së ardhjes të dialogut. Monologu  pa dialog i ngjan absurdit të Beketit. Padyshim, mos leximi i shkrimit është vdekje e heshtur e tij!

Andaj, në qoftë se kemi arritur të quhemi shkrimtarë, këtë gradë e jepni ju! Gjithsesi, në anën tjetër të këtij diskursi, fare pranë është vdekja, sikurse këmisha në trupin tonë. Varet prej jush: a do të na mbani për të tillë!

Në këtë diskurs, me gjithë respektin për kritikën si institucion parësor i vendosjes së rendit të vlerave, nuk do t`ia lejoja asaj karrigen e arbitrit. Kritiku dhe kritika do ta bëjë përzgjedhjen e vet. Më intereson lexuesi, receptuesi i heshtur, ai anonimi, por jo anonimusi. Kureshtja do të duhej të rrinte zgjuar për urtarin që nuk të përkëdhelë, nuk të mburrë; për atë të madhërishmin pa politesë, për absorbuesin e të bukurës dhe të së madhërishmes.

Si duket prore kemi mësyrë të bukurën pa e gërshetuar me të madhërishmen. Bukuria pa të madhërishmen gjithnjë mbeti e brishtë, duke mos i përballuar madje as acarit të parë dimëror…

Ecja këtij rrafshi doemos shtron pyetjen: a kemi arritur ta vëmë lidhjen e pashkëputur mes asaj, ose atij, lexuesit të heshtur, të panjohur, por me të cilin na identifikon magjia e shqiptimit të pazëshëm të shtatë zanoreve dhe njëzet e nëntë bashkëtingëlloreve me ndjesi fisnike, me dashuri  njerëzore të pakufi; gjithnjë për t`iu shmangur egoizmit, indiferencës, lakmisë, urrejtjes, grykësisë, krimit dhe diktaturave të të gjitha ngjyrave.

Ritmet e jetës dhe epoka e internetit, në garën e përsosjes së jetës, vallë a mos ju duket sikur e tallin ngathtësinë e librit letrar?! Ndaj shkrimtarë: lypjani një fat e dinamikë tjetër imagjinatës dhe realitetit të pa eksploruar  rreth nesh…

Çfarë të bëjmë  për të mos ngelur në të njëjtën klasë?

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.