DYLON

Enver Haziri: Ligji i ri për Shtetësinë është hap i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës Lindore

Enver Haziri: Ligji i ri për Shtetësinë është hap i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës Lindore
Avatar photo Redaksia

Koordinatori i Zyrës për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc në kuadër të Zyrës së Kryetarit të Komunës së Gjilanit, Enver Haziri, ka përshëndetur hyrjen në fuqi të Ligjit të ri për Shtetësinë, duke e cilësuar atë si një zhvillim të rëndësishëm për qytetarët e Kosovës Lindore.

Sipas Hazirit, në ligjin e ri janë përfshirë disa kërkesa të kamotshme që lidhen drejtpërdrejt me interesat dhe të drejtat e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit.

EkoHigjiena

“Me kënaqësi ju njoftojmë se Ligji i ri për Shtetësinë ka hyrë në fuqi dhe se janë aprovuar disa nga kërkesat tona të kamotshme, veçanërisht në interes të qytetarëve të Kosovës Lindore”, ka deklaruar Haziri.

Ai ka veçuar si ndryshime të rëndësishme heqjen e testit për personat që kanë gjuhë amtare njërën nga gjuhët zyrtare të Republikës së Kosovës, si dhe përfshirjen e kategorisë së lejeqëndrimit në rrethana të jashtëzakonshme për fitimin e shtetësisë së Kosovës.

Haziri ka falënderuar deputetët që votuan ligjin, ndërsa një falënderim të veçantë ia ka adresuar Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për mbështetjen dhe përkushtimin ndaj kërkesave të qytetarëve të Kosovës Lindore.

“Ky është një hap i rëndësishëm për të drejtat dhe dinjitetin e qytetarëve tanë”, është shprehur Haziri. /2LONLINE/