/2L ONLINE/ – Tremujori i parë i këtij viti karakterizohet me aktivitete të ngjeshura dhe angazhim të vazhdueshëm në dy fushat kryesore të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim në Gjilan – parandalim dhe përballje në terren me gjendjen e krijuar nga të reshurat e shumta, ka thënë në një konferencë me gazetarë, drejtori i kësaj Drejtorie, Ensar Kadriu. Shërbimi i Zjarrfikësve ka nevojë për rritje të numrit të zjarrfikësve.
Kadri tha se falë mbështetjes së kryetarit Haziri dhe bashkëpunimit me policinë, FSK-në dhe “Hidromorava”, kanë arritur që të jenë në gjendje gatishmërie për t’u dalë në ndihmë qytetarëve.
“Falë bashkëpunimit shumë të mirë që kemi me Drejtorinë e Shërbimeve Publike, me Policinë e Kosovës, me Forcën e Sigurisë së Kosovës, me KRU “Hidromorava”, por edhe me institucione të tjera lokale jemi vazhdimisht në gjendje gatishmërie. Problemet më të mëdha në këtë kohë janë ato të reshjeve të mëdha të shiut, mirëpo këtë vit falë pastrimit të lumenjëve gjatë vitit të kaluar, këto probleme ishin shumë më të vogëla dhe presim që këtë vit ato të jenë gjithnjë në rënie kur kemi parasyshë planifikimin për intervenim edhe në lumenjtë tjerë në qytet dhe fshatra”, ka thënë drejtori Kadriu.
Po ashtu, drejtori i Mbrojtjes dhe Shpëtimit, ka vënë theksin edhe në uljen e rasteve të zjarrit krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, por ka theksuar se ka ende numër të vogël të stafit të zjarrëfikësve.
“Elemente pozitive karshi rënieve të problemeve në vërshime, në këtë periudhë kemi edhe numrin më të vogël të zjarreve, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Problem dhe brengë jo vetëm e Drejtorisë sonë, por edhe e qeverisjes komunale, është ende numri i vogël i zjarrëfikësve dhe pamundësia ligjore për ta shtuar numrin, karshi territorit dhe popullësisë që është në zonën e intervenimit të zjarrëfikësve të Gjilanit. Vazhdimisht jemi duke kërkuar nga niveli qeveritar, që ta lejoj rritjen e numrit të zjarrëfikësve, sepse në periudha të ndryshme ka nevoj për staf shtesë. Sot kemi 33 zjarrëfikës, ndërsa numri i tyre përpjestuar me hapësirën që mbulojmë, dhe me numrin e popullësisë brenda kësaj hapësire, do të duhej se paku të jenë 60 zjarrëfikës”, ka potencuar Kadriu, gjatë kësaj paraqitje para gazetarëve.
Por, ai ka thënë se edhe me këtë staf që është për momentin, puna dhe intervenimi, gjithnjë janë bërë në kohën më të shpejtë të mundshme dhe me profesionalizëm të lartë.
Objektivë e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, për muajt në vjijim, janë aktivitetet me nxënësit e shkollave lidhur me përballjen e pasojave nga zjarri dhe fatkeqësitë natyrore, vlerësimi i vazhdueshëm i mundësive të rreziqeve, organizimi i trajnimeve me këshillat e fshatrave, përgatitja e ushtrimit fushor me FSK-në për të vlerësuar gatishmërinë tonë për ‘aktivizimin e planit kontigjent për përballim të flukësit të mundshëm të refugjatëve’, ngritjen e kapaciteteve për parandalim të zjarreve fushore gjatë muajve të verës etj.
Drejtori Ensar Kadriu, ka apeluar tek të gjithë qytetarët e Komunës së Gjilanit që ta kenë kujdesin e shtuar gjatë muajve të verës, në mënyrë që të merren masat adekuate për parandalim të përhapjes së zjarreve.
Ndryshe kjo Drejtori, tashmë ka hartuar Planin e Reagimit Emergjent, i cili, është miratuar edhe nga Kuvendi i Komunës, plan ky i cili do ta rris efikasitetin e punës në masë të madhe. /2L ONLINE/