/2L ONLINE/ – Eni Latifi është një fëmijë 8 vjeçar nga Gjilani i cili jeton në Stuttgart të Gjermanisë. Eni ka talent të veçantë në sportin e karatesë, dhe tash e 3 vite stërvitet në klubin “Shotokan” në Esslingen (Stuttgart).
Vlen të theksohet se ky klub udhëhiqet nga një trajner shqiptar nga Struga Xhimi Ehtemi. Eni në moshën 5 vjeçare për herë të parë e ka sfiduar veten në këtë sport ku ka arritur shume suksese ndër të cilat gjashtë herë vendin e parë, një herë të dytin dhe katër herë vendin e tretë. Eni është kampion në kategorinë e tij për tërë rajonin e Baden-Württemberg i cili është rajoni i tretë më i madh në Gjermani për nga numri i popullsisë me 10.7 milion banorë.
Dëshira për këtë sport e ka bërë Enin që të vazhdojë tutje me trajnim që të marrë edhe më shumë medalje. Kështu nën kujdesin e trajnerit Ehtemi nga Struga, deri tani Eni ne çdo ballafaqim ka arritur të fitoj medalje. Për Enin trajneri Ehtemi thotë se është ndër karateistët më premtues të klubit, ndërsa djaloshi nga Gjilani trajnerin e ka ndër njerëzit më të afërt të tij.
8 vjeçari gjilanas pritet që në vitin 2020 të marr pjesë në garat që janë planifikuar të mbahen në Kosovë dhe kjo e shtynë Enin që të vazhdoj edhe më shumë të stërvitet për ditën kur do të garoj me bashkëmoshatarët dhe bashkëkombësit e tij. Trajneri i tij Xhimi Ehtemi thotë që Eni do t’i kapë majat e karatesë dhe se i tërë klubi janë shumë krenar me të. Kurse shoqja e Enit, karateistja Angelique, Enin e konsideron si vëllanë e saj të vogël. Eni në sportin e karatesë tani bart shiritin e gjelbër. /2L ONLINE/