“Secila ditë e punës sime më lidhë me Kosovën, qoftë me ligjvënës të tjerë, qoftë me ambasadorë vendesh të ndryshme me qëllim të forcimit dhe zgjerimit të njohjeve ndërkombëtare të saj”, u tha shqiptaro-amerikanëve kongresisti amerikan, Eliot Engel, përfaqësues i shtetit të New York-ut tash 24 vjet në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan.
Engel, nën organizimin e gazetës Illyria, mori pjesë në një takim-darkë me disa veprimtarë të komunitetit shqiptaro-amerikan në “Restaurantin Joseph’s” në Wall Street në New York, në një nga takimet mbështetëse për fushatën e zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. Mandati i kongresistëve amerikanë është vetëm dy vjet dhe ata pothuajse gjenden gjithmonë në fushatë rizgjedhjeje. transmeton RTK.
Engel tha se krenohej që Rrjeti social Facebook përfundimisht kishte njohur edhe shtetin e Kosovës duke e vënë në hartën globale të shteteve ndërkombëtare. “Ajo që më bënë krenar në punën time të gjatë është edhe çështja shqiptare dhe në veçanti Kosova për të cilën fillova të interesohem që nga viti 1989”, tha Engel.
Kongresisti amerikan do të jetë një nga mbështetësit më të fuqishëm dhe do të bëhej një avokat i palodhshëm përgjatë dy dekadave të fundit i lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Engel foli edhe për angazhimin amerikan dhe rolin udhëheqës të Washingtonit në ndërhyrjen ushtarake të NATO-së derisa fliste për gjendjen e rëndë dhe luftën afër tri vjeçare në Siri.
“Më 1999 Kosova ishte me fat,” tha Engel. Ai shtoi se sot bota shqiptare në Ballkan ka ndryshuar politikisht dhe ekonomikisht dhe ky ndryshim sipas tij ka ndodhur edhe falë angazhimit të komunitetit shqiptaro-amerikan.
“I thash Facebook-ut se Kosova ishte një shtet legjitim, i njohur nga më shumë se 100 shtete”, tha Engel duke cituar deklaratën e tij të botuar të enjten në gazetën The New York Times lidhur me angazhimin e tij që Facebook ta njihte Kosovën si shtet të pavarur.