Ende asnjë padi për masakrat e Prekazit, Krushës, Reçakut, Mejës, Studimes, Dubravës…
Në një komunikatë të Komitetit për Drejtësi i Lëvizjes Vetëvendosje, është thënë se edhe 16 vite më pas teksa Kosova dhe lufta e drejtë e UÇK-së po rrezikohen seriozisht nga përpjekja për krijimin e Gjykatës Speciale, krimi sistematik nga forcat serbe përgjatë viteve 1998-2000 është duke u heshtur dhe në një mënyrë duke u amnistuar.
Qeveritë e Kosovës deri më tani zyrtarisht nuk përgatitën asnjë mjet juridik me të cilin do të fajësohej Serbia për gjenocidin e kryer në luftën e fundit. Vetëm në vitin 2013 Qeveria Thaçi II themeloi Institutin për Krime të Luftës, institucion i cili deri më sot nuk ka njoftuar për ndonjë ndërmarrje serioze në këtë drejtim.
Është pak të thuhet papërgjegjësi kjo sjellje e qeverive të pasluftës duke përfshirë dhe këtë aktualen. Për vetëm 15 muaj në Kosovë u vranë rreth 14 mijë persona, u dhunuan 20.400 gra dhe vajza shqiptare, 128.000 mijë shtëpi e mbi 360 objekte shkollore u dëmtuan tërësisht, rreth 900 mijë shqiptarë u dëbuan dhunshëm për të vazhduar me shkurtin e vitit 2000 ku u vranë 11 persona dhe u dëbuan 11.364 shqiptarë nga shtëpitë e tyre në Mitrovicë. Të gjitha këto ishin krime të organizuara, sistematike, në formën e spastrimit etnik të ekzekutuara nga formacionet e rregullta dhe ato paramilitare të Serbisë së Millosheviqit. Strategjia e tokës së djegur duke shkatërruar gjithë çka ishte shqiptare si dhe vrasja, dhunimi e dëbimi i popullsisë civile janë figura të plota të veprës penale të gjenocidit. Nuk ka rajon në Kosovë që nuk ka përjetuar masakrimin e popullatës. Edhe pse e pabesueshme nga pikëvështrimi i çlirimit të Kosovës por ende sot nuk asnjë padi për Prekazin, Krushën, Reçakun, Mejën, Studimen, Dubravën.
Në vitin 2010 kur u publikua raporti i senatorit Dick Marty-t, kryeministri i atëhershëm Hashim Thaçi paralajmëroi përgatitjen e një padie për shpifjet dhe fabrikimet që iu vunë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime lufte e thyerje të zakoneve të luftës. Por ndodhi e kundërta, ish Kryeministri Thaçi nuk e parashtroi kurrë padinë kundër Dick Marty-t por u orientua kah negociatat e marrëveshjet me ish Kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiqin, mes tyre dhe për Ligjin e Amnistisë. Ashtu siç veproi para miratimit të rezolutës së Këshillit të Evropës rreth raportit të Dick Marty-t njëjtë po vepron edhe para themelimit të Gjykatës Speciale pra veç paralajmërim për përgatitje të padive kundër Serbisë për krimet e kryera në Kosovë dhe asnjë padi e dorëzuar.
Edhe pse Qeveria e Hashim Thaçit dhe tash kjo e Isa Mustafës po e falin Serbinë duke u thirrur si përfaqësues të popullit të Kosovës është e sigurt se populli i Kosovës nuk do t’i falë as ata dhe as Serbinë. Drejtësia është kusht i patjetërsueshëm i cili pret të përmbushet. Krimi në esencë nuk vjetërsohet asnjëherë kjo vlen formalisht sidomos për krimet e luftës, me theks të veçantë për gjenocidin, si formën më të rëndë të krimit të luftës.
Komiteti për Drejtësi i Lëvizjes Vetëvendosje do të vijojë të angazhohet siç ka bërë këto 10 vite gjithë struktura e lëvizjes, për aktivitetin e përgjithshëm në shënimin, dokumentimin dhe ndjekjen, jo vetëm të krimeve të luftës, por edhe të krimeve të pasluftës të kryera nga strukturat kriminale të Serbisë që ende po veprojnë edhe tani 16 vite pas luftës.
