Emri me shkronjë të vogël
(2LONLINE) – Ndonëse kam hapur facebook-un tim, atë e hap mjaft rrallë; rrallë postoj në të shkrime, kurse fotografi asnjëherë. Nuk e di, mua nuk më del kohë fare për facebook dhe çuditem me kohën dhe energjinë e disave që aq shumë janë të pranishëm në këtë faqe, duke postuar shkrime, fotografi…
Miqtë e mi në facebook i kam shumë të zgjedhur. Nuk kam pasur dëshirë të kem shumë miq në numër, por të tillë, prej të cilëve dëgjoj a shoh diç të mençur e të rëndësishme.
Komentet e mia për ato që postojnë miqtë e mi në facebook, gjithashtu, janë mjaft të rralla. Kur s’ke diç të mençur për të thënë, pse të flasësh?! Miqtë duhet mbrojtur edhe nga fjalët e tepërta dhe nga budallallëku ynë.
Ndonjëherë, kur komentoj ndonjë gjë, mendoj që mendimi im, jo vetëm të më çlirojë nga ajo që më mundon mua personalisht, por edhe për atë që ai të ketë një vlerë edhe për të tjerët.
Kështu, nga një pikënisje e tillë, më ndodhi që, një ditë, të komentoj diç lidhur me një shkrim të mikut tim, i cili, në rolin gazetarit, po njoftonte se ish-kryetari i komunës, q. m., i rënë tani nga pozita pushtetare, po jepte dorëheqje nga të gjitha pozitat dhe angazhimet shoqërore e partiake, duke fajësuar njëherazi të tjerët për dështimet e tij.
Ajo që thashë unë në komentin tim qe se q. m., bashkë me ndonjë të sërës së tij, është vetë fajtor për dështimin e ish-partisë në pushtet, sepse ka keqpërdorur tejmase pushtetin, sa nuk e ka keqpërdorur askush si ai në historinë e këtij qyteti. Unë komentin e bëra dhe ua drejtova miqve të mi, të cilët dinë ta lexojnë drejt dhe pa asnjë keqkuptim.
Por, shihe ti, tërthorazi, nëpërmjet rrjetit të shokëve, hyn, lexon e komenton edhe llumi i kësaj shoqërie, dhe m’i bën disa vërejtje. Hej, llumi i llumit, larot e q. m.-së, më bëjnë vërejtje!
lum y., më shkruan se kam bërë gabim që emrin dhe mbiemrin e ish-kryetarit të komunës, të rënë nga pushteti dhe nga çdo pozitë, i kam shkruar me shkronjë të vogël, se duhet shkruar me shkronjë të madhe. Kështu shkruan lum y., duke u shërbyer me dijen dhe inteligjencën e një fëmije të klasës së parë, apo të klasës së dytë të fillores.
Ia bëj një koment thënies së lum y.-së, duke shpresuar se do të kuptojë e mësojë diçka. I them se mirë e paska mësuar përdorimin e shkronjës së madhe, tek emrat e përveçëm, po duhet të kuptojë se, në rast nevoje, njerëzit, për qëllime të caktuara shprehëse, përdorin edhe shkronjën e vogël.
lum y., i tejkënaqur nga bindja se ka vërejtur një gabim timin gjuhësor, që sipas tij unë e kam bërë nga mosdija, më shkruan sërish dhe më thotë se shkrimin e shkronjës së madhe, tek emrat e mbiemrat e njerëzve, e ka mësuar, por nuk e ka mësuar prej meje, po prej të tjerëve. Kjo domethënë, sipas tij, se ata që ia paskan mësuar Gjuhën Shqipe atij qenkan më të ditur e më punëtor se unë. Kështu mendoi lum y., pa menduar se përdorimi i shkronjës së madhe, tek emrat e përveçëm, mësohet në klasën e parë dhe, më së voni, në klasën e dytë të fillores, dhe jo aty ku punoj unë, pasi aty mendohet se këto gjëra dihen dhe duhet mësuar diçka tjetër. Kështu mendoi lum y., pa menduar se unë nuk i mësoj gjithë nxënësit e qytetit…
Pas lum y.-së, në rrjet me të, paraqitet shoku i tij, y.y., i cili shkruan se unë duhet ta pranojë vërejtjen e lum y.-së, ta pranojë gabimin. Pas kësaj, bëj një koment të përgjithshëm dhe, ndër të tjera, them se shkronjat e vogla q. m. , për emrin dhe mbiemrin e ish-kryetarit të komunës, të rënë si një pleh, janë përdorur qëllimisht, por kujt t’ia them, kujt t’ia tregoj se shkronjat e vogla do t’i përdor sa herë do ta përmend atë që nuk ka pasur respekt dhe e ka zhvlerësuar vetveten.
Pas dy të parëve, paraqitet arbër s., krejt i panjohur, i cili thotë se nuk është mirë të marr nëpër gojë njerëzit e nderuar të politikës dhe as të provoj fare të merrem me politikë, se si thotë ai, politika është e vështirë, po të merrem me arsim e krijimtari!
Çka t’i them këtij arbër s.-së, që mendon se politika është më e vështirë dhe më e rëndësishme edhe se arsimi e krijimtaria?! Si t’i tregoj arbër s.-së, se me politikë mund të merret kushdo, edhe çifti i q. m.-së, edhe ata të sojit të tij, edhe çifti i arbër s.-së, që nuk e di çka është politika. Që nuk e di çka është arsimi. Që nuk e di çka është krijimtaria. Që nuk e di se politika është lavire. Që nuk e di se politika, si thuhet në shkencat politike, është një luftë jofizike, që domethënë një luftë jo me armë që vrasin fizikisht e biologjikisht (këtu te ne mund të jetë edhe kjo!), po me mjete të tjera.
Se në politikë hyjnë njerëzit më të këqij, me egoistët, më karrieristët etj., etj., të cilët, për ambiciet e tyre pushtetare vrasin edhe babanë e vet. Edhe vëllanë e vet. Etj. Etj. Po nuk i them se pse t’i flasim atij që, e dimë se nuk kupton, prandaj, në vend se t’i flasim kot, atij që nuk kupton, ia fshijmë e ia bllokojmë krejt komentin, atij shërbëtorit të keq (arbërit s.), të zotërisë edhe më të keq, q. m., i cili, duke pasur mbështetjen e fundërrinave të këtij vendi, ëndërron të fitojë zgjedhjet e ardhshme dhe të zërë vend edhe më lart në pushtet. “Hosanna” Barabba!
/Nuhi Ismajli/
