DYLON

Emra që do të lakohen në të gjitha rasat e kombtarizmit

Avatar photo Redaksia

(2LONLINE) –  Jusuf e Bardhosh  Gërvalla dhe Kadri Zeka ishin bërthama e çështjes sonë kombëtare, nderi, dhimbja dhe krenaria shqiptare. Ata ishin burra të cilët arritën unifikimin e mërgatës shqiptare, përpjekësit e angazhuar me tërë qenien në internacionalizimin e çështjes shqiptare në Evropë dhe botë. Trima të cilët i njohu dhe i bëri të pandashëm çështja madhore kombëtare. Asnjëherë nuk i ndau as lodhja, as veprimtaria e pashembullt, as vapa, as acari, ashtu si nuk mund i ndau as breshëria e plumbave të pushtuesit sllav.

Ata ishin themelues së  Lëvizjes  Kombëtare për  çlirimin e vendit. Ishin strategët më të stërvitur për themelimin e platformës më të qartë kombëtare. Vizioni i tyre ishte të i bashkojnë gjithë shqiptarët, pa dallim feje, krahine apo gjinie. Vizioni i tyre në të folur e shkruar gjithnjë ka pasur parasysh edhe opsionin e çlirimit të  Kosovës nga okupatori, pa përjashtuar edhe rezistencën e armatosur, kur pushtuesi nuk do të njihte tjetër formë.

EkoHigjiena

Dalja e tyre në skenë në mërgatën shqiptare pati bërë jehonë të madhe. Ata ishin guximtarë të veprimeve kombëtare,edhe pse UDB-ja,sllave vepronte lirë në perëndim dhe i përcillte kudo. Ata ishin edukuar në frymën jo vetëm të duan atdheun në të cilin u lindën dhe edukuan,por edhe të sakrifikojnë të e mbrojnë dhe shpëtojnë ate me çmimin më të lartë (gjakun)

Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri  Zeka, ishin pishtarë  të  lirisë  së Kosovës, pa veprimtarinë e të cilëve Kosova nuk do të kishte lirinë të cilën e gëzon sot. Ata vunë themelet e tyre  në këtë drejtim, duke kundërshtuar guximshëm pushtimin  serb mbi  Kosovën, Një formë të ngjashme kundërshtimi të pushtuesve e patën nisë edhe studentet e Universitetit të Prishtinës në vitin 1981.

Gërvallajt dhe Kadri Zeka sakrifikuan çdo gjë për lirinë të cilën po e gëzojmë sot. Ata me veprimtarinë e tyre paralajmëruan  Serbinë, ish-Jugosllavinë por edhe mbarë botën e civilizuar, se shqiptarët e Kosovës më kurrë nuk do të  lejojnë të jetojnë   nën tutelën serbo-sllave.

Jusufi, Bardhoshi dhe Kadriu ishin simbole të qëndresës kombëtare,që burimin e kishin nga familje me tradita kombëtare patriotike. organizon  likuidimin e tyre në mënyrën më barbare dhe tinëzare duke organizuar mbi ta atentat klasik. Janaret për shqiptarët ishin janare të kobshme dhe të zeza, ku mbi ta dora e zezë tinëzare likuidoj  shumë veprimtarë të shquar. Kështu ndodhi edhe më 17 janar 1982 në Untergrupenbach të Gjermanisë dora e zezë e pushtuesit i vrau tinëzisht.

Duhet të thuhet se prej tyre më tepër shquhej Jusuf Gërvalla, dallohej për prirjet dhe orientimet kombëtare në të gjitha fushat. Jusuf  Gërvalla ishte poet, këngëtar, publicist, veprimtar i devotshëm i çështjes kombëtare,intelektual i guximshëm e luftarak për çlirimin e Kosovës, i cili veprimtarinë e vet atdhetare e zhvilloj në ilegalitet në  Kosovë dhe emigracion.

Ishte në rrezik të arrestimit, por pasi i shpëton arrestimit, migron në Gjermani, ku më parë jetonte dhe vepronte i vëllai Bardhi, ku e vazhdon me një intensitet edhe më të shtuar veprimtarinë e tij patriotike për  çlirim e bashkim kombëtar. Në Gjermani arrin të bashkojë faktorin shqiptar të emigracionit në një front të përbashkët kundër shtypjes, burgosjes, vrasjeve e shpërnguljes së shqiptarëve nga forcat serbo-jugosllave.

Ai së bashku me Bardhoshin, Kadri Zeken e disa veprimtarë të dalluar, ishte në ballë të frontit të gjerë për sensibilitetin e opinionit  botëror për çështjen e pazgjidhur të shqiptarëve në ish-Jugosllavi e Ballkan.

Pushteti i atëhershëm serbo-jugosllav tek Jusufi, Bardhoshi e Kadriu e shihte nyjën kyçe të organizimeve anti-jugosllave, prandaj me 17 janar Kosovës iu trazua qielli, shqiptarëve iu trazuan zemrat, atë natë të zezë janari dëbora u skuq me pikat e gjakut të trimave tanë të lirisë, Agu i mëngjesit i gjeti pikat e gjakut të tyre të ngrira, por as acari as breshëritë e plumbave nuk mund i ndanë trimat. Ata ranë në altarin e lirisë për të shënuar pavdeksinë. Shembulli i Jusuf  Gërvallës, mbeti dhe mbetet i gjallë ndër intelektual të kohës moderne,si krijues dhe atdhetar i shquar për liri. Shqiptarët kishim të bënim  me një armik  të pacipë, i cili tinëzisht na i vriste trimat dhe nuk i linte të varroseshin në atdhe. Jusufi, Bardhoshi dhe Kadriu, ishin varrosur në Gjermani.

Më kujtohen ato vite dhimbjesh, kur çdo përvjetor bënim homazhe tek varrezat e tyre. Sikur më dukej se u bënim dëm, sikur i shkelnim varrezat e tyre, e trupi i tyre nuk prehej pa i kthye eshtrat e tyre në  atdhe, për të cilin kishin rënë heroikisht. Tani fatbardhësisht ata janë në tokën e tyre, janë bërë dritë, diell e shkëndijë e lirisë dhe kombit.

Edhe ne mërgimtarët pas tyre jemi mundua të bëjmë veprimtarinë kombëtare, po rrugën e kishim të trasuar nga ata, shtigjet i kishim më të hapura dhe kraharorët më të mbrojtur, si rezultat i veprimtarisë së tyre.

Ashtu si Jusufi, ashtu nga prirjet për orientim kombëtar dallohet  bija e saj Donika Jusuf  Gërvalla, në organizimet e veprimtarisë së tyre pata marr pjesë dhe aty shihja ringjalljen e  Jusufit, nga se Donika ishte  veprimtare e paepur e çështjes kombëtare, ashtu si babai i saj  Jusufi, ishte e zëshme dhe zëdhënëse e cila veprimtarinë kombëtare e zhvilloj në Gjermani dhe zëri i saj i fuqishëm, i guximshëm e intelektual, internacionalizoi çështjen shqiptare nëpër Europë.

Jusuf e Bardhosh Gërvalla dhe Kadri Zeka,janë personalitetet më të çmuara të cilët u flijuan për çlirimin e Kosovës, Ata janë nderi, dhimbja dhe krenaria jonë, vetëm se ata nuk duhet të i përkujtojmë vetëm në përvjetorin e rënies, duhet të gjejmë forma më të shpeshta organizimesh për të i përkujtuar dhe nderuar këta pishtarë të lavdisë, qoftë në Kosovë e kudo në mërgatën shqiptare. /2lonline/

/Shaban Cakolli/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.