Emigrimi aktual i kosovarëve, e keqja më e madhe që ia bëmë vetvetes
Shkruan: Mustafa BAJRAMI
(2L ONLINE) – Dëgjuam me vëmendje një emisionin dedikuar migrimit të kosovarëve diku në një televizion kosovar. Edhe pse fenomeni i migrimit është një problem dhe një filozofi më e thellë se sa po flitet aty-këtu në vendin tonë, e që, thellësisht pra duhet të analizohet prej shkaqeve, avarisë, euforisë e deri tek pasojat, tek ne në Kosovë së paku deri më tani nuk doli askush të shkruaj e thotë drejt, mjaft dhe në mënyrë shkencore dhe analitike.
Sikur edhe në këtë emision pra, edhe të tjerët më parë po bëjnë tautologji refrenesh kundër politikave të shtetit më shumë se sa të bëjnë përpjekje për të prezantuar ide të kapshme për dalë nga kriza e tanishme. Kjo krizë e tanishme është aq e thellë sa do ta kishte vështirë edhe feja ta zgjidhte shpejt dhe në mënyrë efikase.
Humbja e besimit tek institucionet e shtetit nuk është sebepi kryesor i kësaj tragjedie, siç e thonë sidomos ata që janë të prirë të kritikojnë qeverinë, ani pse ky faktor është i dukshëm. Ka diçka më e rëndësishme se lëshimet dhe padituria eventuale e qeveritarëve për ta nuhatur me kohë situatën e tanishme, dhe ajo është, për fat të keq përpjekja e vazhdueshme e disave mbi shqiptarët e këtij nënqielli që ti çveshin nga ndjenja atdhetare në dobi të dashurisë për vatanin, për të qenë shqiptarë dhe për ti përballuar krizave të herëpasherëshme që mund ti ndodhin Kosovës sikur që i kanë ndodhë edhe të tjerëve para nesh.
Kur një shoqëri sulmohet në vlerat e saja të mishëruara me shekuj dhe në vend të atyre vlerave mundohesh tia veshësh disa të tjera që si shkojnë as për shtati e as për zanati, sështë e qudtishme që ajo shoqëri një ditë të atakohet nga sindromi i humbjes së identitetit dhe fuqisë për të dashur sublimen, për të përballuar të keqen dhe për tu sakrifikuar për diçka që është më e shtrenjtë se sa një jetë më komode, në një kohë të caktuar. Ka një mori shembujsh nga popuj të ndryshëm që edhe në kohë krizash më të mëdha se kjo e jona, tejkaluan situatat dhe triumfuan mbi të keqen që iu kishte rënë mbi kokë. Gjermanët dikur, tajvanezët dhe të tjerë kombe mund të jenë modele nga të cilët duhet të mësojmë. Në Kosovë megjithatë ka njerëz që njohin dhe kanë studiuar rrethanat nga ku kanë dalë fitimtarë gjermanët, tajvanezët dhe të tjerë. Këta njerëz janë të gatshëm të kontribuojnë ne shpejgimin e këtyre mësimeve kaq të nevojshme për shoqërinë tonë. Këto mësime janë ato që duhet përmendur dhe shpjeguar nëpër televizionet tona, thjeshtë, qartë dhe me dije, parasëgjitash me nijetin e mirë për ti ndihmuar njerëzit tanë që janë kapluar kaq keq nga kjo tragjedi, me pasoja të rënda dhe afatgjata.
Analist nuk është vështirë të bëhesh në një shoqëri si kjo jona. Mjafton të kesh miq, ti takosh një rryme politike, të dish të flasësh në favor të një krahu politik, të atakosh krahun tjetër. Por të jesh analist qëllim-mirë me nijetin për tu ofruar ndihmën dëgjuesve dhe atyre që kanë nevojë, përveç dijes, nevojitet shpirt i pastër me karakter humanisti, solidar dhe që sinqerisht e do këtë vend dhe këtë popull. Nuk është koha vetëm të targetojmë fajtorin, ta sulmojmë dhe ta hjekim nga vendi prej ku sundon. Është koha të dilet me një gjuhë të thjeshtë, shqip, me një, dy, tre e katër propozime të kapshme, të brumosura me përvoja të ngjashme të popujve me histori gjithashtu të ngjashme si kjo jona dhe tu thuhet qytetarëve troç; këtë dhe këtë duhet ta bëni ndërsa ate dhe ate nuk është mirë ta bëni.
Si propozim efektiv, i afërt me mendjen e shëndoshë dhe më lehtë i realizueshëm do të ishte shpjegimi i drejt teologjik, fetar i fenomenit të migrimit, i rrethanave dhe kushtet kur dhe ku mund të bëhet migrimi, rrjedhat dhe pasojat fetare të migrimit dhe në fund shpërblimet e Zotit për ata që luftojnë migrimin, rrjedhimisht që punojnë për vendin. Në ndërkohë, bashkërisht me shpjegimet e drejta fetare njerëzve tu shpjegohet përvoja gjermane, pikërisht e atyre viteve 1945-1960 kur gjermanët e shkallmosur nga lufta riorganizuan jetën, me ndihmën e grave gjermane, të rinjve, mbarë shoqërisë dhe për nëntë vite pas lufte, jo vetëm që rindërtuan stadiumet, por edhe u bënë kampion bote në futboll në vitin 1954.
si model i kapshëm mund të jenë edhe tajvanezët të cilët ishin të shtypur nga Kina komuniste, pak në numër por të fortë në shpirt, për më pak se 35 vite arritën të bënin shtetin e tyre ndër 16 fuqitë më të mëdha ekonomike të globit. E pra, edhe gjermanët, edhe tajvanezët kishin armiq, kishin fqinjë që nuk ua donin të mirën, kishin mbikëqyrës ndërkombëtarë, por ia dolën. Thjeshtë, ata, mbi të gjitha patën vullnetin për të punuar dhe gatishmërinë për ti dëgjuar njerëzit që dinin, donin dhe ishin të gatshëm tu ndihmonin vendeve të tyre.
Shqiptarët në Kosovë duhet të zgjohen nga gjumi, nga kjo eufori epidemike dhe ti kthehen vetvetes. Tek e fundit Zoti qysh në kohën e “kalubelasë” u kishte thënë; Ne nuk do të ndryshojmë gjendjen tuaj përderisa ju nuk filloni ta ndryshoni qasjen tuaj ndaj vetvetes. Dhe, Kosova duhet të kuptojë se gjendjen e saj s’do ta ndryshon askush përderisa ne nuk vendosim të ndryshojmë vetveten, për të mirën e vetvetes. Të tjerët munden vetëm të ndihmojnë për aq sa ata kanë interesin të ndihmojnë. /2L ONLINE/
