Emërtimi i rrugëve në qytet kah fundi, niset menjëherë me emërtime në fshatra
/2L ONLINE/ – Komisioni Komunal për emërtim të rrugëve, shesheve dhe bulevardeve të reja duke trajtuar edhe të gjitha emërtimet e deritanishme, është në përfundim të punës për emërtimet në qytet, ndërsa sot në mbledhjen e radhës të pranishëm ishin edhe kryetarët e Këshillave të Fshatrave, të cilët janë informuar dhe është bërë ndarja e lokacioneve për takime publike nëpër fshatra, në mënyrë që edhe atje të bëhen emërtimet e rrugëve, shesheve dhe bulevardeve.
Me këtë rast në këtë takim të këtij komisioni, që është në një përbërje të gjerë prej përfaqësuesve politik, shoqërisë civile, historianëve, gjeografëve, artistëve dhe përfaqësuesve të tjerë, janë njoftuar kryetarët e Këshillave të Fshatrave, për takimet që do t’i mbaj komisioni komunal me këshillat e fshatrave dhe qytetarët e atyre lokacioneve.
Kështu është informuar se më 28 gusht nisin me takimin në fshatin Malishevë me rrethinë dhe do të jetë takimi i parë i komisionit, për të vazhduar me 1 shtator në fshatin Dobërqan, pastaj më 3 shtator në Përlepnicë, 8 shtator në Pogragjë, 10 shtator në Zhegër, 15 shtator në Livoç të Epërm, 18 shtator në Livoç të Poshtëm, 22 shtator në fshatin Bresalc dhe më 25 shtator në Cërrnicë.
Ndryshe në këtë takim të sotëm, prezent ishte edhe ekipi monitorues i OSBE – së në Gjilan. /2L ONLINE/
