Shkruan: Sherafedin KADRIU
( Rreth librit të Sabit rrustemit”, “STINA E MESELEVE II, që u botua këto ditë, përmes QRTK të Gjilanit )
Libri i dytë me mesele “Stina e mesleve II, i Sabit Rrustemit dëshmon për interesin e autorit që ta lërojë edhe këtë fushë të prozës popullore sepse serioziteti i tij në krijimtarinë poetike tashmë është dëshmuar me dhjetëra vepra të arrira.
Jo se i ka shterë muza në poetikë, e ka kthyer në këtë fushë, por pse ëmbëlsia e “kodrave pas bregut” nga Karadaku ka munguar të thuash fare, prandaj, Rrustemi duke ditur për ato ëmbëlsi deshi që t’i shpërfaqë e t’i jetësojë njëkohësisht, pa i mbajtur vetëm për vete. Ç’është e vërteta, Karadaku është i pasur me krijimtari popullore, e dëshmi më e mirë është kjo tufëz meselesh, rrëfimet e së cilës kanë përplotësuar dhe tejkaluar, jo vetëm si volum ”Stinën …I”.
Këto mesele sikur qëndrojnë në mes të tregimeve popullore dhe anekdotave; kjo sa i përket gjatësisë dhe mënyrës së ndërtimit të meselesë. Nuk ka ndonjë vijë ndarëse në këtë aspekt, prandaj edhe ne po mjaftohemi vetëm me konstatimin se këto mesele janë përtej vetvetes,- kanë diçka më shumë në aspektin e ndërtimit, fillimit, rrjedhës dhe përfundimit të episodit narrativ.
Gjithsesi që të rëndësishme mbeten bëmat e personazheve të meseleve, të cilat janë nga më të ndryshmet. Duke rendur pas tyre, ku nuk hyjmë e ku nuk dalim! Ndërsa, gjykimet që shoqërojnë bëmat e tilla nuk përbaltin, nuk injorojnë, nuk shkaktojnë dhembje, nuk filozofojnë shumë se nuk kanë për të zgjidhur ndonjë mosmarrëveshje të rëndë. Në asnjërën prej tyre nuk fishkëllen plumbi, sikundër jemi mësuar të lexojmë në meseletë e botuara në fillimvitet 80. Vetëm, njëherë e shohim Xhelën e Smajlit me pushkë në prehër, me këmbëngulësinë e tij, për të penguar një “marifet” nga “odborrnikët” e tjerë, të cilët si duket nën ndikimin e disa serbëve, donin ta shkarkonin me votë “presednikin” e Zhegrës, pa qenë prezent vetë “presedniki”.
Kanë çka rrëfejnë tjetër personazhet e Rrustemit. Është jeta e tyre e përditshme, gëzimet e hidhërimet, puna, lodhja, shkuarje – ardhjet miqësore, inatet e vogla, gabimet e fëmijëve, dembellëku i ndonjërit, mençuria e tjetrit, qëndrimi burrëror në kufij të shpërthimit, naiviteti – ndonjëherë i kushtëzuar nga paragjykime, guximi e puna e larë me djersë.
Aty është Hasani i Terziajve që nuk kënaqet me presednikin se nuk ia zgjidh “problemin” me fqinjët, Hajdinajt, të cilët “me pesë – gjashtdhetë copa dhi, me katër – pesë kumona e tre katër qenë, hala pa u zdritë qysh duhet… E tuj piskatë thu qi uki i faroj, tanë ditën…” ia prishin pak dembellëkun, po ç’ti bësh?
Aty është daja Dullë që të falë fjalë e mend, po opingat s’ti jep: K’ tu te ju mentë e mia s’ po m’i merr kurkush, a apangat rahat s’ po m’i leni…”.
Aty është edhe malësorja e re, ajo që ka hall bukurinë e saj, aq sa e përflasin vetëm pse nuk ka guxim kush ta kërkojë për grua. Po princi nuk harron e vjen në kohë, ai ka guximin t’ia vë në pah sytë e bukur shumë, ndërsa malësorja e ka përgjigjen edhe më të guximshme: “Badihava, vej per s’ rani jam tuj i bajtë, kush s’pi lypë”.
Bëmat e fjalët janë të barasvlershme. Ato kanë tipizuar malësorin e Karadakut në situata të ndryshme. Ai bie në ujë ose del në breg në çaste të caktuara, pas “ngucjes” nga tjetri, për një fjalë të thënë a të ngjitur, për një pune të kryer a të mos kryer, për një shejtanllëk a axhamillëk.
Bashkë me të ecim edhe ne, natyrshëm të shoqëruar me një humor të lehtë që del në pah nga detajet. E kallëzimtari ka përvojën e rrëfimit, ai di si rrëfehet, ai di ku të të prekë, po edhe sa bartë ti. Në të gjitha situatat, kallëzimi të grish deri në “cullak”, po baci Zeqë, e di kur thotë “mirë metshi”.
Periudha kohore e veprimit të personazheve duket se nis pas LDB, kur Kosova u gjet nën sundimin e ri të monizmit sllav, për të përfunduar ndoshta pakëz pas luftës së fundit (1998/99) me “të zimet e të kaverdismet e çorbës” politike gjithsesi.
Në shikim të parë ngjarjet e meseleve rrjedhin lehtas e qetas, pakëz ngadalshëm, se kallëzimtari duket se është pakëz në moshë, e nganjëherë sikur ka nevojë të mbushet frymë.
Kallëzimtari, jo gjithherë përflet thjesht me tekstin. Thellë – thellë, nënteksti e konteksti kanë nyjëtuar përcëllimën që mund të të djegë, siç dogji e përvëloi në Isukaj… Po prandaj, ky kallëzimtar urtar, e ka shpërfaqur pakëz më butësisht këtë fenomen, i cili ende nuk është hequr, po na rri varë në gjuhë. Butësia nganjëherë dhemb më shumë se ashpërsia: E, opshtinën naj pruni Serbia per me na hi n’ hater e me naj n’rru guhën, po na, hala ship po folim! – shprehej një personazh i Rrustemit, asaj kohe.
Tani në rolin e folkloristit dhe të etnografit njëkohësisht, autori ka sjellë para lexuesit një “Stinë…” të re meselesh, shumica syresh të treguara në odën e babës Hajdin. E si të mos tregoheshin aty, ku fjala e mirë e buka për mik ishte apoteozë e odës. Kush nuk kish pushuar në të? Të “mëdhenj” e të “vegjël”. Po, të gjithë ishin pritur për një dere… siç e lyp manaja e odes.
Një e folme e kallëzimtarit paksa e ngadalshme, ka sjellë para lexuesit një sintaksë të gegërishtes së mirë të Karadakut. Ç’është e vërteta, disa fjalë kanë në vete shenjat diakritike me qëllim të shpërfaqjes besnike të të folurit të kësaj ane, por si duket autori ka kursyer lexuesin e sotëm nga përdorimi i shenjave të tilla në secilin rast, i vetëdijshëm se mund t’u shkaktojë lexuesve probleme gjatë leximit. Edhe si e tillë, sintaksa popullore është ndërtuar me shije. Në këtë vazhdimësi, toponimet në gegërishte, si: Prroni Sajnav, Udha Shpatit, Te Pusi i Zhabav, Udha Gurinave, Shtegi Hijes, Lugi Terllav dhe shumë të tjera, se ngjarjet kanë ndodhur gjithkund, e specifikojnë toponiminë shqiptare në një pjesë të mirë të Karadakut.
Për dy-tri mesele të ditëve të sotme që i kanë bërë “vaki” autorit të këtij libri, kallëzimtari ka ruajtur të folmen e Karadakut të pas Luftës së Dytë Botërore. Ndoshta pse ka dashur që këto dy-tri meseletë e kësaj kohe, të mos tingëllojnë ndryshe nga meseletë e tjera. Ç’është e vërteta edhe sot meseletë tregohen me “gjuhën e tyre”, këndej, në Karadak. Mund të jetë që për këtë arsye ato dalin më të “gjalla”, pse janë të traditës së kësaj ane me bindjet, besimet e botëkuptimet. /2L ONLINE/