DYLON

Elona Sadiku, soprano, mbajti koncert në Sallën Perandorake të Muzeut Rajonal në Ústí nad Labem – Çeki

Elona Sadiku, soprano, mbajti koncert në Sallën Perandorake të Muzeut Rajonal në Ústí nad Labem – Çeki
Avatar photo Redaksia

Artistët tanë janë ambasadorët më të mirë të Kosovës. Kultura është ura që bashkon popujt, duke ndërtuar lidhje të qëndrueshme përtej kufijve dhe brezave. Sonte, Salla Perandorake e Muzeut Rajonal të Ústí nad Labem u mbush me emocion dhe duartrokitje, ndërsa zëri i fuqishëm i sopranos sonë, Elona Sadiku, i shoqëruar me finesë në piano nga Pranvera Hoxha, krijoi një atmosferë të paharrueshme artistike.

Me krenari Ambasada e Kosovës bashkëorganizoi këtë mbrëmje të jashtëzakonshme në kuadër të Muajit të Gjuhës dhe Kulturës Shqipe, në partneritet të ngushtë me Universitetin Jana Evangelisty Purkyně në Ústí nad Labem, si dëshmi e përkushtimit për thellimin e bashkëpunimit kulturor dhe akademik ndërmjet dy vendeve.

EkoHigjiena

Programi i përzgjedhur me këngë artistike dhe popullore shqiptare nga kompozitorë të njohur shpalosi bukurinë dhe thellësinë emocionale të muzikës vokale shqipe. Përfshirja në repertor e aries “Měsíčku na nebi hlubokém” nga opera Rusalka e Antonín Dvořák i dha mbrëmjes një dimension të veçantë simbolik — një bashkëbisedim i bukur muzikor ndërmjet kulturës shqiptare dhe asaj çeke.

Muaji vazhdon me ligjërata akademike dhe aktivitete të shumta kulturore; ndërsa nesër në mbrëmje do të shfaqim filmin e mirënjohur Hive.

Mirënjohëse për këtë fillim dinjitoz dhe për praninë e publikut që e mbushi sallën me emocion dhe duartrokitje. /2LONLINE/