Eljesa Rashiti: Rreth 375 familje do të kompensohen nga shpronësimi i Qarkores së Vjetër në Gjilan
Drejtoresha e Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë, në Komunën e Gjilanit, Eljesa Rashiti tha se ndihet e lumtur që ka marrë epilog një proces shumëvjeçar i shpronësimit për projektin “Qarkorja e Vjetër e Qytetit të Gjilanit”, pasi Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin përfundimtar për pronat e paluajtshme që preken nga ky projekt në zonat kadastrale Shillovë, Livoç i Ulët dhe Gjilan.
Drejtoresha Rashiti tha se me këtë vendim do të kompensohen rreth 375 familje për pronat e prekura nga realizimi i projektit.
“Me miratimin e vendimit përfundimtar nga Qeveria e Republikës së Kosovës po përmbyllet një proces i gjatë dhe i rëndësishëm për qytetarët tanë. Rreth 375 familje do të kompensohen për pronat e tyre, duke marrë fund një çështje që kishte mbetur e pazgjidhur prej shumë vitesh”, ka thënë Rashiti, transmeton Portali 2LONLINE.
Ajo theksoi se përveç aspektit infrastrukturor, ky vendim pritet të ketë ndikim pozitiv edhe në ekonominë lokale, pasi mjetet financiare do të rikthehen te qytetarët dhe bizneset e Gjilanit.
“Ky proces nuk ka vetëm rëndësi institucionale e infrastrukturore, por përfaqëson edhe një mbështetje konkrete për ekonominë lokale, pasi mjetet e kompensimit do të përfundojnë te familjet dhe bizneset e qytetit”, u shpreh ajo, transmeton 2LONLINE.
Drejtoresha Rashiti ka falënderuar Qeverinë e Kosovës dhe institucionet relevante për bashkëpunimin dhe angazhimin në përmbylljen e këtij procesi, ndërsa vlerësoi edhe punën e stafit profesional të Drejtorisë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë.
“Mirënjohje e veçantë shkon për stafin profesional të drejtorisë, i cili ka qenë i angazhuar në vazhdimësi në të gjitha fazat e këtij projekti”, ka thënë Rashiti. /2LONLINE/
