Në Kosovë po qëndron kongresmeni Eliot Engel, nënkryetar i Komisionit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve së Kongresit Amerikan. Engel është takuar sot edhe me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Petrit Selimin, dhe me klerikët fetarë të Kosovës.
Zëvendësministri Selimi, bashkë me liderët fetarë dhe ekipin e Nismës për Dialog Ndërfetar, e njoftuan kongresmenin Engel me suksesin e projektit të diplomacisë publike kosovare në fushën e dialogut ndërfetar.
Selimi prezantoi projektin e dialogut ndërfetar, përfshirë edhe synimet kryesore të diplomacisë kosovare në forcim të imazhit të Kosovës dhe në promovimin e agjendës së tolerancës.
Në anën tjetër, kongresmeni Engel e përgëzoi zëvendësministrin Selimi dhe ekipin e Nismës për Dialog Ndërfetar për përkushtimin ndaj ruajtjes dhe promovimit të harmonisë fetare në vend, duke e nënvizuar mbështetjen e tij personale në Kongres, derisa shprehu mirënjohje edhe për nismën për vendosjen e gurit të Holokaustit në oborrin e Qeverisë së Kosovës. Gjithashtu, kongresmeni Engel theksoi se Kosova është shtet që mund t’i tregojë botës se nuk ka nevojë të frikësohet nga shumica myslimane, por të marrin mësim se si shumica është respektuese dhe promovuese e tolerancës si dhe mbrojtjes së pakicave. Engel po ashtu ka premtuar përkrahje të vazhdueshme edhe për projektet e Ministrisë së Punëve të Jashtme, përfshirë edhe lobimin në Izrael, Karaibe dhe Amerikën Latine.
Në këtë takim ishin të pranishëm edhe ambasadorja amerikane Tracey Ann Jacobson, biznesmeni shqiptaro-amerikan Harry Bajraktari, botuesi i gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria”, Vehbi Bajrami, etj. Ndërsa, si pjesëmarrës dhe përkrahës të projektit të MPJ-së për dialog ndërfetar ishin edhe ambasadori i Mbretërisë së Norvegjisë, Jan Braathu, dhe përfaqësues të Bashkimit Evropian, ambasadës gjermane dhe asaj britanike.