Tharja e lëkurës,skuqja apo krijimi i të ashtuquajturave kore të lëkurës janë ndër simptomat e shpeshta që tregojnë për praninë e sëmundjes së ekzemës, sëmundje e cila kërkon një kujdes maksimal në trajtim.
Më e shpeshtë shfaqet tek fëmijët e moshave të vogla dhe kryesisht tek foshnjat. Në një intervistë për gazetën “Dita”, mjekja Ilda Xhelili tregon se cilat janë rrugët e duhura për të mbajtur nën kontroll ndërlikimet e kësaj sëmundjeje.
Çfarë është ekzema, si dhe çfarë e karakterizon këtë sëmundje?
Ekzema ose dermatitis është një fjalë që rrjedh nga greqishtja, ku derma do të thotë lëkurë dhe shtesa itis – nënkupton inflamacionin (infeksionin) e lëkurës. Kurse në gjuhën e përditshme njihet me emrin ekzema, që do të thotë shpërthim.
Kjo situatë karakterizohet me skuqje në zonat e lëkurës së prekur, me flluska të mbushura me lëng (vezikula), kruajtje (pruritus), si edhe krusta ose kore, plasaritje të lëkurës ose edhe gjakrrjedhje. Nga të dhënat statistikore sot në botë rezultojnë të prekur nga kjo sëmundje rreth 3.5 për qind e njerëzve ose rreth 230 milionë njerëz gjithsej. Më të predispozuar për t’u prekur nga ekzema janë fëmijët e vegjël qysh në foshnjëri, sidomos seksi femër.
Më pas, si më të prekura renditen femrat midis moshës 16 dhe 49 vjeç (pra përkon me periudhën e riprodhimit). Sot në Britaninë e Madhe rezultojnë të prekur nga kjo sëmundje rreth 20 për qind e fëmijëve kurse në SHBA rreth 10 për qind e tyre.
Vitet e fundit ka pasur një rritje të prevalencës së kësaj sëmundjeje në vendet e zhvilluara