(2L ONLINE) – Një ndër arsyet kryesore se pse prindërit nuk mund të përkujdesen shumë për fëmijët është se jetojnë në një stres midis përgjegjësive familjare dhe atyre të punës. Një problem tjetër mbetet orari i tej zgjatur i punës. Ky orar bën që prindërit ta ndjejnë veten nën presionin intensiv të ditës duke i detyruar ata nga pikëpamja psikologjike të mos i pranojnë fëmijët si individë dialogues dhe rrjedhimisht bëhen të paaftë t’i kuptojnë ata. Vihet re që oraret e zgjatura dhe të çrregullta të prindërve që punojnë, stresojnë dhe keqësojnë jetën familjare, si dhe bëjnë që influenca prindërore te fëmijët të humbasë efikasitetin e saj.
Nga: Besnik SHRIFI
Kushtet e tilla në familje bëjnë që te fëmijët të dallohen probleme sociale dhe emocionale më të mëdha. Mos përkimi i orareve të punës së prindërve me oraret e shkollës së fëmijës ndikon edhe te prindi duke shkaktuar probleme psikologjike.
Si mund të jenë prindërit e përkushtuar?
Prindërit e përkushtuar janë ata prindër të cilët kanë një dialog të përhershëm dhe shpenzojnë kohë me fëmijët e tyre (hanë së bashku, e shfrytëzojnë kohën e lirë së bashku, si për shembull: lexojnë libra, luajnë, diskutojnë për gjëra të rëndësishme të cilat ndikojnë pozitivisht në botën e fëmijës, dhe kur fëmijët kanë nevojë për ta, ju gjenden gjithmonë pranë tyre.
Prindërit e përkushtuar kanë një sjellje të ndjeshme ndaj fëmijëve, janë të kujdesshëm, tolerantë, mbrojtës, e mbështesin fëmijën e tyre si dhe e qetësojnë atë në situata të caktuara. Ata formojnë një marrëdhënie të fortë dhe të besueshme me fëmijët e tyre. Rolin e prindërit e kryejnë më së miri dhe plotësisht të gjithë ata të cilët janë të përkushtuar. Këta prindër me sjelljet e tyre demokratike, u krijojnë kushte të përshtatshme fëmijëve të tyre për të fituar aftësinë e të drejtuarit dhe kontrollit të vetes, i mësojnë ata dhe i bëjnë të aftë të marrin përgjegjësi, i mbështesin në shkollim dhe kujdesen për të gjitha nevojat e tyre gjatë shkollës.
Duhet kuptuar se fëmija ka nevojë për mbështetje, përkrahje, për siguri, përkushtim, zhvillim të aftësive psiko – fizike. Çdo fëmijë ka një cisternë emocionale dhe kjo cisternë është figurative. Natyrisht, por padyshim mund të themi se është shumë reale. Çdo fëmijë ka nevojë të caktuara emocionale, dhe fakti nëse këto nevoja emocionale plotësohen (përmes dashurisë, kuptimit, disiplinës, etj.), përcakton shumë gjëra. Pikësëpari, kjo përcakton se si ndihet fëmija, nëse ai është i kënaqur, i zemëruar, i dëshpëruar, apo i gëzuar.
Së dyti, kjo ndikon në sjelljen e tij, faktin nëse ai është i bindur i pabindur, aktiv, apo i tërhequr. Natyrisht, sa më e plotë të jetë cisterna emocionale, aq me pozitive do jenë ndjenjat, dhe aq më e mirë sjellja e fëmijës.
Ndikimi në zhvillimin social
Përkujdesja e prindërit lidhet ngushtë me jetën sociale të pasur, me pjekurinë dhe sjelljen e fëmijës. Këto tipare tashmë duken qartë sapo fëmija ka arritur moshën 3 vjeç. Nga studimet e bëra është cekur se fëmijët e prindërve të përkushtuar janë më të shoqërueshëm, dhe janë pikërisht këta fëmijë, që duhet dhe kanë më tepër vëmendje në shoqërinë e tyre. Kjo ndodh sepse këta fëmijë kanë më pak ndjenja negative, krijojnë më pak zënka, tregohen më tolerantë dhe janë më të ndjeshëm dhe të kuptueshëm. Kjo marrëdhënie shoqërore bëhet akoma më e rëndësishme në periudhën e adoleshencës, sepse marrëdhëniet shoqërore janë tepër të mira kur marrëdhëniet baba – fëmijë kanë qenë të ndjeshme. Në rast të kundërt, kur fëmija ka qenë pre e agresionit dhe e sjelljeve të papërshtatshme atërore, rezulton të jetë më pak i dëshiruar në rrethin e tij shoqëror. Afrimiteti i babait ndikon në vendimet racionale, në zgjedhjet etike dhe në pjekurinë e sjelljeve të moralshme. Vihet re se fëmijët që kanë prindërit aktiv, bashkëpunues janë më pak me sjellje asociale, vështërsi në mësime, dhe hiperaktivë.
Prindërit që nuk pozicionohen mirë në rolin e tyre, kanë fëmijë që u zhvillohet instinktivisht vesi i kopjimit, pandjeshmëria ndaj gabimeve të bëra dhe humbja e kontrollit në raste irritimi, shfaqje të sjelljes së agresivitetit, zemërim, nervozizëm, jo bashkëpunues etj. Secili prind luan një rol të rëndësishëm për të ndihmuar fëmijën e tij që t’i zhvillojë aftësitë e ndryshme, ashtu si dhe për t’i deshifruar emocionet e veta. Në fakt problemet e dhunës dhe të mungesës së tolerancës shpesh lidhen me faktin që fëmijët i deshifrojnë keq emocionet e fëmijëve të tjerë dhe sulmojnë ngaqë druhen se mos i sulmojnë ose i refuzojnë./2L ONLINE/
Autori është psikolog Klinik