Nexhat Rexha
( Vështrim për librin më të ri të Skënder Berishës: “Dhembje që jeton”, edituar nga Shtëpia Botuese “BEQIR MUSLIU”, 2015 ).
(2L ONLINE) – Transmetimet e lirikës gojore kanë ruajtur e bartur në vete testamente të pashkëputshme të intimitetit ,nëpër kohë e procese zhvillimore të shoqërisë. Në këtë korrelacion ndërtimesh e hapërimesh vijnë edhe lirikat e dashurisë në vëllimin poetik “Dhembje që jeton” të Skender Berishës, ato krijojnë rrethanën e kërkimit të lumturisë. Titulli i librit shfleton depërtimin e kësaj dhembjeje, si metaforë në ruajtjen e lumturisë dhe jetëgjatësinë e saj,ajo i jep mirënjohje kësaj dhembjeje për të ruajtur në brendi buzëqeshjen e puthjes, si kërkimtar i pandalur në ambientin e virgjër të stinëve flladitëse.
Në vargjet racionale të këtij libri, fjala tërheq bukurinë e melodisë në zjarrin e brendshëm si ekspozitë urbane e të gjitha kohëve. Në këtë kontekst krijohen fluskat e dashurisë,duke i dhënë ngjyrat e nevojshme të pritjeve manifestuese, që derivojnë në trazimet e të gjitha kohëve. Në këto lirika Skender Berisha ka arritur të depërtoj në të gjitha pjesët e natyrës,sepse vetëm pamjet, ngjyrat e aroma që sjell natyra krijojnë mundësinë e përjetimit edhe te lirikat e dashurisë, të cilat parashtrohen më gjuhën e përjetimit dhe thellësisë shpirtërore.
Autori ka marrë në përdorim elementin mitologjik, si ilustrim me ndërtimin e arkitekturës urbane që kanë krijuar kohët e qytetërimit shqiptar. Këto vlera i kanë dhënë mundësinë afruese vargut dhe njëkohësisht poezia si e tillë merr kuptimin shpërndarës, për të shprish dridhjet e gjata, të mundimshme për të shuar zjarrin e dashurisë. Për këtë arsye lirikat me këtë motiv janë universale dhe lexohen e përjetohen pa ndikime gjuhësore,ato afrojnë pamje të botës natyrore. Nëpër këtë dhembje kalojnë fatet e të gjitha brezave,varësisht nga artikulimi i tradicionales së ruajtur, apo i zhvillimit shoqëror në emancipimin e ndërlidhjeve, si faktorë determinues në lirinë e cicërimave të zogjve. Kur kënga e dashurisë mbisundon botën e tyre,ajo vjen si refleksion i natyrshëm, në këtë botë të zjarrtë. Skenderi ka depërtuar bukur me fjalën e zgjedhur e të gdhendur,duke i dhënë asaj fuqi e figuracion me lehtësi, sepse elementi afrues i fjalës ka dhënë shijen, melodinë, mesazhin për të konkretizuar tërësinë poetike të secilës poezi.
Vepra “Dhembje që jeton”, është konceptuar në këto cikle: Si të gjeta, prolog, Zemra e dhimbjes, Intermexo, Edhe më për zemër, Epilog. Në këto ndarje nuk kemi ndonjë veçanti dalluese në parashtrimin e brendshëm të ndërtimit strukturor, por ato krijojnë mundësinë leximit të bukur në këto ndarje. Poezia e Skenderit në këtë vëllim të dytë poetik, ka ruajtur frymën e vargimit në cilësi e unifikim të tij, duke artikuluar dashurinë si fuqi magjike që shpërthen në të gjitha stinët e vitit, ajo bartë me vete edhe skena që nuk përsëriten. Idila poetike ka krijuar pamjet tej përtej atdheut nëpër monumentet sa mitologjike, po aq edhe historike, sikur vetë përditshmëria që lidh pamjet e syve nën diktatin e trokitjeve të zemrës. Këto zjarrmi të dashurisë, Skenderi i ka ilustruar bukur me fjalën e gjetur e të latuar për të konkretizuar krejt thënien dashuri. Kjo vjen në të gjitha vargjet e këtij vëllimi, por në këtë rast dallojmë vargjet e poezisë “ Sa herë po të kujtoj”, në vargjet e kësaj poezie ai ka cilësuar bukur lemzën edhe si besëtytni, edhe si realitet, edhe si zhurmë që zgjon kureshtjen për të ditur se kush kend e përmend, si në këto vargje:
Pakngapak e po të kujtoj
nuk ka gjasë të të harroj
kalojnë stinë e kalojnë mote
mua më nget lemza jote
fq.100.
Konsiderojmë se këto lidhje të dashurisë në poezinë e Skenderit krijojnë edhe më fuqishëm bindjen e fjalës së ruajtur në popull, ajo si dikur edhe sot, ka ruajtur fuqinë sa reale, po aq edhe filozofike. Në këto realitete tërësia poetike komunikon me të gjitha variantet e saja në këtë vëllim, por autori në secilën poezi me racionalizëm ka shkrirë shtruarjen e vargut, si dhe ka sjell fjalë e shprehje të përditshmërisë, e të cilat kanë përkdheluar këtë dashuri sa intime në shpirt, po aq edhe të pranueshme për lexuesin. Gjatë leximit ambientohemi me ngrohtësi në vargjet e tija,duke përjetuar momente sa intime, aq edhe universale. Këto përjetime poetike kanë krijuar edhe origjanlitetin e tyre, çka e bënë veprën me të konsoliduar artistikisht si përmbajtje e masazh.
Vëllimi poetik “Dhembje që jeton”, kultivon dashurinë në të gjitha stinët, ajo lartëson e jep aromën e flladit shpirtëror për të gjitha moshat e kohët. Skender Berisha në këto lirika ka shpalosur hyrje daljet e tiktakeve të zemrës në të gjitha pikat e shiut. Frekuencat ngritjeve për një pikëtakim vijnë si rezultat i përjetimit për të zbardhur etikën e dashurisë, me puhizën e ndjeshmërisë. Në të gjitha poezitë e këtij libri lexuesi arrin të gjejë shtrirjen e dashurisë, si kërkim të pa rreshtur, e si realizim i përjetimit të brendshëm, të dhembjes që nuk ndalon jetën e saj në të gjitha frymëmarrjet.
Në këto lirika shtrihet hapësira e kërkimit për të bukurën, sepse ajo jeton në çdo pjesë të natyrës tokësore e qiellore. Kur fryma e saj bartë ledhatimet në të gjitha orët e një dite e nate, dhembja sa vjen e shton jetën e saj në bukuri të Rozafës apo Dea-së, e kjo gjakon në dhembjen e stinëve të përtej kohëve.
Skenderi me vargjet e tërësishme ka rrezatuar, varguan e ngjeshur me fjalë e figuracion, që i jep jetë e optimizëm artit, me këngën e harmonizuar dhe me fluskat e shatërvanit të qytetit, ku jeta buzëqesh kujtimet e dashurisë për brezat e ndryshëm. Poezia e këtij vëllimi arrin të bëjë jetë në çerdhen e ngrohtë të dashurisë, aty ku jetës i këndohet me shpirtin e përjetimit, si realizim artistik dhe si realizim konkretizues për të mundur dhembjen e shkaktuar pa dashje. Zjarrmia e buzëve shkrin e mund pritjen përtej kërkimit të diellit, kurse thellësia e detit dhe retë qiellore bashkojnë e tretin thatësinë e buzëve dhe mundin vapën e cilës do stinë. Vargjet kanë shtrirje e vokacion të qartë, në thjeshtësinë e të gjitha fluturimeve, kur ajo depërton në ngrohtësinë e bashkimit të ëndërruar në shkëlqim të referencës poetike e konvencionale .
Vepra poetike “Dhembje që jeton” ngërthen në vete katër stinët e vitit, të cilat bartin në brendi të gjitha pikat e pritjes për fashitjen e dashurisë, si realitet e zgjim i domosdoshëm në të gjitha variantet e mundshme. Ajo vjen me një arkitekturë të urbanizuar, që të merr në shikim të parë, e si fluskë rritet, zhduket, por që pamja e saj kurrë nuk përsëritet ajo ruan formën e parë, ajo ruan pastërtinë e shkëlqimin e saj, kjo ka vetëm një emërtim të përbashkët, që i mund të gjitha kohërat. Vepra ka ndërtim estetik, në ide e strukturë, ajo që e specifikon është pasurimi i saj me fjalë të shqipes burimore, kjo e bënë veprën edhe artistikisht më të realizuar./2L ONLINE/