DYLON

Ekspozita personale e profesorit Avni Behluli do të jetë e hapur deri më 31 tetor

Ekspozita personale e profesorit Avni Behluli do të jetë e hapur deri më 31 tetor
Avatar photo Redaksia

Ekspozita “Mitikja e një universi artistik” e profesorit Avni Behluli, e hapur ditë më parë në Galerinë e Arteve në Gjilan. do të vazhdojë të jetë e hapur deri më 31 tetor.

Kjo ekspozitë realizohet me rastin e 65 vjetorit dhe pensionimit të Avni Behlulit.

EkoHigjiena

Ai përmes skulpturës, ka arritur të kapë kohën, ta ndalë për një çast, ta gdhendë në dru, gur  e në shpirt.

Kuratori i kësaj ekspozite, Gani Bytyçi, tha se Avniu ka festë të trefishtë: kremton ditëlindjen e tij, përmbyll edhe rrugëtimin e tij profesional, si pedagog arti, (pensionohet) dhe e bën një rekapitullim, një retrospektivë të të gjithë veprës së tij artistike.

Ai shtoi se mbi të gjitha këto, Avniu e ka një pasion, që është skulptura, instalacioni, vizatimi, piktura. Është arti, përgjithësisht.

“Në veprën artistike të autorit, shpalosen epokat, ndërthuren shekujt, jetësohen ngjarjet, skaliten personazhet. Aty shpërfaqen portretet e heronjve, lexohen e kujtohen ngjarjet historike dhe tragjikja e tyre”, tha Bytyçi.

Kuratori theksoi se krijohet mbamendja dhe përjetësohet historia. Aty takojmë luftëtarë e heronj të përmasave kreshnike, si ata të legjendave të lashta. Shohim skena me thyerje shpatash, gërshetim predhash, flijime e rënie në fronte betejash. Aty ndiejmë trishtim për humbje të dhimbshme, por edhe krenari për fitore të mëdha.

“Por, në veprën e Avniut jetësohen edhe ndjenja më sublime, si dashuria e shenjtërimi i jetës dhe krijimi e mbrojtja e saj. Pastaj kultivimi, ruajtja dhe bartja e trashëgimisë socio-kulturore e filozofike, si testament brezash”, tha Gani Bytyçi.

Kuratori shtoi se profesori, me skulpturën e tij, sikur i ka përbashkuar kohët, epokat, shekujt. Sikur e ka zënë me dorë amshimin, për ta sjellë para nesh, si komunikim artistik, si raport ndërmjet jetës, historisë dhe artit, në mënyrë që publiku të mund të krijojë raportin e tij me kohën dhe me artin.

 “Arti i Avniut është mit. Ai është miti i së kaluarës dhe i të sotmes. Është miti i atdheut dhe i lirisë së tij. Ai është miti i flijimit të luftëtarit. Arti i tij është miti i mbijetesës sonë. Ai është miti për femrën. Miti i amësisë së saj. Në veprën e Avniut mit është vendlindja e tij. Është gjuha dhe autoktonia. Është tradita kulturore. Mit, është vetë arti”, tha kuratori Bytyçi.

 Ndërsa profesori, Avni Behluli, the se ndihet shumë i lumtur për këtë pjesëmarrje në ekspozitën e tij.

Ai falënderoi edhe Drejtoratin pë Kulturë të Komunës së Gjilanit për mbështetjen që po i jep krijuesve jo vetë nga Gjilani, por edhe më gjerë.

“Është për tu lavdëruar Komuna e Gjilanit, për mbështetjen që po i jep krijuesve”, tha Behluli.

Drejtori i Arsimit në Komunën e Gjilanit, Shpend Nuhiu, i ka ndarë mirënjohje mjeshtrit Avni Behluli, për kontributin e dhënë shumëvjeçar në sferën e arsimit dhe artit.

Ekspozita do të jetë e hapur deri më 31 tetor. /2LONLINE/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.