Ekspozita “Hope” hapet sonte në Gjilan

Ekspozita “Hope” hapet sonte në Gjilan

Në Ekspozitën ” Hope”, që do të hapet sonte në Gjilan, për artdashësit, do të ekspozohen njëzetë fotografitë e autori Alban Nuza, e që në thelb kanë tematikë, liberalizimin e vizave dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës.

Një ekspozitë e veçantë e fotografive do të shfaqet sonte në Galerinë e Qytetit në Gjilan, e cila shpërfaqë një realitet të hidhur, por të mbështetur në shpresë.

E menaxheri i këtij projekti, Qëndrim Kqiku tregon se këto fotografi janë ekspozuar paraprakisht edhe në Prishtinë dhe interesimi nuk ka munguar, gjersa shpreson se edhe sonte ajo të has në mirëpritje edhe nga artdashësit dhe komuniteti në Gjilan.

“Ne shpresojmë që përmes artit, duke e ditur që arti është kultura e një populli, të shprehim brengat tona për kufizimet në lëvizjen e lirë, e drejtë që një shteti të pavarur i mohohet tash e 18 vite. Ne kemi bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme, marketingun, posterat, bashkëpunim me organizatat studentore, vullnetarë, institucionet komunale e Njësinë për Rini dhe Kulturë, për çka ju jemi falënderues. Fotografitë janë të një cilësie të veçantë, profesionale dhe do jetë diçka artistike që do zbulohet të enjten mbrëma”, ka thënë për 2LONLINE menaxheri Kqiku.

Ai më tej shton se për t’i dhënë jehonë edhe më të madhe kësaj ekspozite, por edhe ngritur zërin për këtë çështje, çfarë është edhe qëllimi i saj, organizatorët mendojnë ta ekspozojnë këtë edhe përtej kufijve shqipfolës.

Përndryshe, ekspozita e Fotografisë “Hope”, do të jetë e hapur për të gjithë të interesuarit për tri orë në Galerinë e Qytetit, nga ora 19:00 deri në ora 22:00, gjersa ajo do të shoqërohet edhe me muzikë. /Elife Sherifi/

KOMENTE