Shkencëtarët kanadezë thonë se duke u ekspozuar sa më shumë ndaj ‘baktereve të mira’ në fillimet e jetës, mund të parandaloni zhvillimin e astmës. Ekipi i shkencëtarëve ka analizuar miliarda baktere që jetojnë në trupin e tyre.
Pasi kanë shqyrtuar analizat e 319 fëmijëve, ata thonë se më të rrezikuarit për t’u prekur nga astma janë ata fëmijë, të cilëve u mungojnë katër lloje bakteresh.
Ekspertët thonë se ‘bakteret e duhura në kohën e duhur’ janë mënyra më e mirë për të parandaluar alergjitë dhe astmën.
Mjekët tani shpresojnë se duke zbuluar bakteret që mungojnë, të gjejnë ilaçin e duhur për të parandaluar astmën.
Trupi i njeriut ka miliarda baktere dhe viruse, që janë kaq të rëndësishme për shëndetin e njeriut.
Rastet me astmë janë shtuar ndjeshëm së fundmi, aq sa një në 11 fëmijë në Britani është me astmë.
Një shpjegim është se fëmijët nuk ekspozohen mjaftueshëm ndaj mikrobeve për të kalibruar sistemin imunitar që të dallojë ndryshimin mes mikut dhe armikut.