/2L ONLINE/ – Pothuajse, mu në kufirin e sotëm Kosovë-Serbi, në mes të fshatrave Karaçevë e Muhoc, në restorantin e tij “Oksigjeni”, brenda e jashtë në oborr, pronari Qamil Hallaqi, ka një numër të eksponateve, të cilat, përveç që ia zbukurojnë ambientin ruhen edhe si vlera të trashëgimisë të kësaj ane. Njëherit ato krijojnë edhe ambient shumë të këndshëm për pushim.
Të gjitha këto eksponate janë të mirëmbajtura. Sipas Madhërim Hallaqit (njeri nga familjaret), këto eksponate janë marrë nga ky rajon, nga fshatrat për rreth e ndonjë e kemi edhe dhuratë. Po ashtu ai na thotë se saktësisht nuk e di se sa janë të vjetra, por ka të periudhave të ndryshme. P.sh . nëse numri 1748 në peshore (kandar) është datë dhe është e saktë, ky është mjaft i vjetër, pra është nga Perandoria Osmane. Po për këtë nuk jam i sigurt a është viti apo ndonjë numër tjetër i peshores.
Po ashtu në mur të oxhakut ka ekspozuar kamishin e gjyshit te tij, Bajram Hallaqiti cili mund të jetë mbi 100 vjet. Është mjaftë i gjatë (79 cm.), dhe ka edhe rrota të vogla. Madhërimi, tregon se ka pasur rrota më të mëdha, por i kanë humbur. Vëmendjen na e tërhoqën dy dhëmbë të elefantit të ekspozuar në enterier, ku mësojmë se i ka dhuratë nga Zvicra.
Te tjerat si qerrja me katër rrotë, shkokluesja e misrit, hedhësja e drithit, kërhanët, pllugu, shpartitësja, qerre me dy rrota (koleshnik), pti, fener e disa tjera janë me të reja. Ato janë punuar 60-70 apo 80 vite më parë. /Ismet TAFILI- zyrtar i QRTK-së, Gjilan/