/2L ONLINE/ – Në Shipashnicë të Epërme, Selman Rifat Dermaku, ruan disa eksponate të cilat i ka grumbulluar vetë, si dhe disa që i ka punuar Haki Jashari (1922-2012) të cilin e kanë thirrë edhe Aga Culi. Haki Jashari ishte mjeshtër i përpunimit të drurit, dhe çdo mjet, çfarëdo qoftë ai, ishte në gjendje ta punojë sikur origjinali, na rrëfen Selmani.
Nder eksponatet më interesante e më të vjetra që i ka grumbulluar ai, janë:
Kavallet, siç na rrëfen Selman Rifat Dermaku, prejardhjen e kanë nga Ramabuqa, ndërsa ka luajtur në to, Isa Rifat Dërmaku nga Shipashnica. Gjatësia e tyre është 74 cm., ndërsa perimetri 7 cm. Kanë edhe këllëfin (kallepin) në të cilin vendosen dhe ruhen për t’u mos u dëmtuar. Mosha e tyre është mbi 70 vjeçare.
Kaca prej druri, është e punuar nga babai i Kadri Zekës, Pajazit Zeka nga Poliçka. Dimensionet e saj janë : Lartësia 65 cm., perimetri në mes të kacës, 1.5 m. Dhe diametri në grykë 44 cm. Ketë kacë, pronari ka shprehur gatishmëri, që t’ia dhurojë muzeut të Gjilanit.
Qerepi i punuar prej dheu, në të cilin është pjekur buka, i cili perimetrin e ka 1.13 m.
Unuri, stralli e eshka; siç dihet, zakonisht kanë shërbyer për ndezjen e cigares, përkatësisht të zjarrit. Guri prej stralli, i cili gjatë fërkimit me unur, që është i punuar nga çeliku, nxjerrë xixa dhe në ketë mënyre ndizet eshka qe i vendoset në guri.
Ky koleksiounes privat ka edhe umin e parmendës, grabujën, kumonën, gërryesen e dheut (koprala), sharrën e dorës etj.
Ndërsa, eksponatet që i kishte punuar Haki Jashari, ishin mjaft të bukura dhe të punuara me kujdes e mjeshtri të rrallë, por që nuk janë të vjetra. Janë punime të që i kishte punuar, zakonisht ne vitet e fundit të jetës së tij . (Ai kishte vdekur në vitin 2012). Ndër to dallojmë: emblemën e NATO-s, prerësen e bukës, lugën e madhe prej druri, qerren me katër rrotë, gjilpërën druri, furkën, terploten, përmenden me zgjedhë etj. /Ismet TAFILI- zyrtar i QRTK-së, Gjilan/