DYLON

Ekspertë të CoVE STEM Europe në UKZ shkëmbejnë praktika në Arsimin Profesional dhe STEM

Ekspertë të CoVE STEM Europe në UKZ shkëmbejnë praktika në Arsimin Profesional dhe STEM
Avatar photo Redaksia

Në Universitetin Publik “Kadri Zeka”, Gjilan, është mbajtur dita e dytë e takimit të Menaxhimit të Projektit (TPM) të konsorciumit CoVE STEM Europe, ku ekspertë nga Kosova, Holanda, Turqia, Suedia, Gjermania dhe Italia janë mbledhur për të diskutuar dhe shkëmbyer praktika të mira në arsimin profesional dhe STEM.

Dita nisi me fjalën e hapjes nga Lulzim Rafuna, President i Dhomës së Tregtisë së Kosovës. Ai foli për rëndësinë e lidhjes mes universiteteve dhe sektorit privat dhe për rolin kyç që industria luan në përgatitjen e profesionistëve të aftë. Rafuna nxiti pjesëmarrësit të shikojnë bashkëpunimin mes akademisë dhe biznesit si një mundësi strategjike për zhvillimin ekonomik dhe inovacionin në Kosovë.

EkoHigjiena

Më pas, Silvia Badon dhe Sara Bollarino nga ENAIP Veneto udhëhoqën një workshop mbi vlerësimet nga kolegët (peer reviews). Ky workshop ishte interaktiv dhe pjesëmarrësit punuan në grupe për të shqyrtuar kërkimet paraprake të secilës qendër CoVE. Qëllimi ishte të identifikoheshin praktikat më të mira dhe të përcaktoheshin temat dhe struktura për kurset e ardhshme trajnimi. Pjesëmarrësit diskutuan sfidat e tyre, ndanë përvojat dhe sugjeruan mënyra për të rritur cilësinë e programeve edukative.

Matthew Coates, udhëheqës i WP5, drejtoi një workshop mbi hartimin e politikave dhe dokumenteve strategjike (whitepapers). Ai prezantoi praktika të mira ndërkombëtare për strukturimin e politikave arsimore dhe të teknologjisë, duke theksuar rëndësinë e qartësisë dhe qëndrueshmërisë së dokumenteve strategjike. Pjesëmarrësit patën mundësinë të punojnë në skenarë praktikë, të diskutojnë sfida të përbashkëta dhe të krijojnë udhëzime për dokumente të ardhshme strategjike.

Workshop-i i udhëhequr nga Susanne Jakobs dhe Matthew Coates u përqendrua në ciklin PDCA (Plan-Do-Check-Act) dhe metodologjitë për sigurimin e cilësisë në institucionet arsimore. Pjesëmarrësit plotësuan formularë paraprakisht dhe më pas punuan në grupe për të analizuar dhe optimizuar proceset e tyre të menaxhimit dhe trajnimit. Diskutimet përfshinë teknika për monitorimin e progresit, identifikimin e problemeve dhe implementimin e përmirësimeve të vazhdueshme. Workshop-i nxiti dialog dhe shkëmbim ideash, duke i dhënë pjesëmarrësve mjete konkrete për përmirësimin e programeve të tyre.

Workshopi mbi shpërndarjen e informacionit, i udhëhequr nga Xhevdet Thaqi, udhëheqës i WP6, prezantoi mënyra dhe strategji për të promovuar projektet CoVE STEM Europe dhe për të rritur ndikimin e rezultateve në komunitet dhe industri. Pjesëmarrësit diskutuan kanalet e komunikimit, mënyrat për të angazhuar publikun dhe krijimin e materialeve që mund të përdoren në institucione dhe media lokale. Ky workshop u fokusua jo vetëm në promovim, por edhe në krijimin e një rrjeti të qëndrueshëm bashkëpunimi dhe shkëmbimi për të gjithë partnerët.

Dita përfundoi me një vizitë kulturore në Kalaja e Novo Berdos, ku pjesëmarrësit patën mundësinë të njihen me trashëgiminë historike dhe kulturore të Kosovës, duke shijuar ambientet historike.

Dita e Dytë u konsiderua një sukses i plotë, duke nxitur bashkëpunim ndërkombëtar, shkëmbim të praktikave më të mira dhe zhvillimin e aftësive praktike dhe menaxheriale për të gjithë pjesëmarrësit. Workshop-et interaktive dhe prezantimet e folësve ekspertë do të ndikojnë drejtpërdrejt në avancimin e projekteve CoVE STEM Europe dhe në forcimin e rrjetit të qendrave të ekselencës në arsimin profesional dhe STEM në Evropë.

Nesër ekipi i CoVE STEM do të vizitojë Shkollën Teknike Profesionale në Kamenicë, ku pjesëmarrësit do të kenë mundësinë të njihen me ambientet e shkollës, të takojnë drejtues të saj dhe të komunës për të forcuar lidhjet me institucionet arsimore lokale dhe për mundësinë e bashkëpunimit të mëtejshëm në zhvillimin e arsimit profesional dhe projekteve STEM në nivel komuniteti. /2LONLINE/