Ekipi Negociues dhe Rezoluta prodhojnë dy efekte pozitive

Ekipi Negociues dhe Rezoluta prodhojnë dy efekte pozitive

Kuvendi i Kosovës asnjëherë nuk ka nxjerr Rezolutë të keqe. Kemi pas mungesë vullneti për ti materializuar Rezolutat. Thjeshtë, kanë mbetë në letër, dhe nuk është se kemi kërkuar të jetësohen.

Shkruan: Ardian Azemi

Nuk është kërkuar llogari, madje edhe Rezolutat e propozuara janë bërë më shumë për marketing sesa për të prodhua zgjidhje për çështje të caktuara. Pra, të rralla janë ato që janë vënë në praktikë, efektet e të cilave janë parë. Nuk ka rëndësi nëse janë ose jo detyruese rezolutat, rëndësi ka për faktin se po e nxjerrë organi më i lartë i shtetit, dhe të injorohen më pastaj, disi është e çuditshme.

Rezoluta e fundit e Kuvendit të Kosovës për dialogun me Serbinë, prodhon dy efekte pozitive. E para; e kapërcen problemin e matematikave në këtë institucion, dhe i heshtë “matematicientët” që harrojnë se mandati i tyre nuk është të merren me numra por ta përfaqësojnë qytetarin dhe të marrin përgjegjësi në procese nëpër të cilat kalon vendi. E dyta; e ndryshon formën dhe temat, përfaqësimin dhe transparencën në dialog. Tani Kosovën më nuk e përfaqëson një person, pavarësisht roli dhe pozita e tij në shtet, por e përfaqëson Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Prej kohës kur ka nis dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, qytetarët kanë qenë të painformuar dhe jashtë lojës. Dialogu ka qenë jo transparent, dhe me të drejt është krijua konfuzion dhe dyshime se çka realisht është kah bisedohet në Bruksel..?! Jo rrallë herë na është thënë diçka tjetër gojarisht përmes konferencave për shtyp, dhe krejt diçka tjetër është diskutuar. Kjo i ka bë edhe Kuvendin edhe qytetarët të dyshojnë në epilogun e dialogut, sepse të jesh i mbyllur ndaj sovranit për një temë aq me rëndësi, është edhe e padrejtë edhe në kundërshtim me mandatin e institucionit që përfaqëson.

Ekupi Negociues dhe Rezoluta e nxjerrë nga Kuvendi, e pamundësojnë që kjo formë e dialogut të vazhdoj tutje. Tani Kosova ka një platformë për dialog, ka një ekipë nga Kuvendi dhe me përbërje të gjerë, dhe domosdoshmërisht do të jetë transparent çdo takim dhe çdo temë që diskutohet. Nuk ka nevojë asnjë subjekt politik që të ketë hezitime tani, sepse i është dhënë mundësia çdo grupimi politik dhe nga shoqëria civile të jenë në Bruksel, aty ku bisedohet për çdo gjë, dhe në të njëjtën kohë të jenë të informuar saktësisht për gjithçka.

Refuzimi me çdo kusht të jenë pjesë e ekipit negociues, është ikje nga përgjegjësia dhe me qëllim të pengimit të mëtejmë të procesit që aspiron të prodhoj zgjidhje afatgjate dhe ligjërisht obligative. Kemi një situatë tjetërfare tani, një qasje ndryshe edhe kundrejt Serbisë por edhe kundrejt Bashkimit Evropian. Në rrethanat aktuale, dhe në këtë realitet të ri tanimë, do të duhej të bëhej garë se kush më shpejtë do të bëhej pjesë e ekipit, sepse Kosova ka nevojë urgjente për zgjidhje afatgjate, sepse Republika jonë po sulmohet nga shumë drejtime dhe pamëshirshmëm, ngase vendi ynë nuk po trajtohet barabarësisht. Por jo, fatkeqësisht, Republika që aq shumë zë vend në deklaratat e përditshme të alamet politikanëve, nuk është interesi i parë dhe i vetmi.

Ky artikull nuk pasqyron qëndrim editorial të redaksisë! Për më tepër, ju lutem lexoni kushtet e përdorimit.

KOMENTE