DYLON

Edhe zyrtarisht hiqet taksa për shqiptarët e Luginës

Avatar photo Redaksia

Kabineti qeveritar miratoi sot vendimin e kryeministrit Thaçi për heqjen e taksave për veturat që vijnë nga Lugina e Preshevës në Kosovë. Ky vendim do të hyjë në fuqi me datën 21 të këtij muaji, ndërsa sipas kryeministrit Thaçi këtë kompensim do ta bëjë Qeveria e Kosovës.

Sipas komunikatës nga kjo mbledhje, kreu i Qeverisë së Kosovës Hashim Thaçipo ashtu  ka vlerësuar lartë  ecurinë e fushatës zgjedhore, duke përgëzuar gjithë spektrin politik për një fushatë të qetë dhe korrekte.  Ai  edhe njëherë u ka bërë thirrje serbëve të veriut që të marrin pjesë në zgjedhjet e 3 nëntorit duke thënë se edhe ata duhet të jenë pjesë e kornizës kushtetuese ligjore.

EkoHigjiena

Të gjithë qytetarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit, të cilët do të hyjnë në Kosovë nga 21 tetori nuk do të kenë nevojë të paguajnë taksa për veturat e tyre. Ky vendim u aprovuar sot nga kabineti qeveritar. Kryeministri Thaçi tha se këtë kërkesë e ka shqyrtuar me lidershipin e Luginës së Preshevës.

“Në të njëjtën kohë, unë kam shqyrtuar kërkesën e lidershipit të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, që janë kresa edhe të qytetarëve atje, për heqjen e taksave për veturat në vendkalimet kufitare për qytetarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit kur hyjnë në territorin e Kosovës. Këtë kompensim do ta bëjë Qeveria e Kosovës dhe ministria e Financave duhet të angazhohet që ta implementojë këtë vendim. Prandaj, ju ftoj sot që Qeveria e Kosovës të aprovojë vendimin për heqjen e taksave për veturat e qytetarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit që hyjin në territorin e Republikës së Kosovës nga 21 tetori i këtij muaji”, tha ai.

Qeveria miratoi po ashtu edhe strategjinë kombëtare të Republikës së Kosovës për menaxhimin e integruar të kufirit 2013-2018. Ministri i Punëve të Brendshme Bajram Rexhepi tha se kjo strategji ka rëndësi të madhe në sigurinë e kufijve.

“Strategjia kombëtare e Republikës së Kosovës për menaxhimin e integruar të kufirit, pasqyron vizionin e qartë të Republikës së Kosovës, për sigurinë dhe përafrimin e Republikës së Kosovës me bashkimin Evropian, lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave, parandalimin e krimit duke respektuar standardet më të larta të të drejtave të njeriut”, theksoi ai.

Në vazhdim Qeveria ka miratuar  Projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes për hua të financimit për vazhdimin e ndërtimit të rrugës Prishtinë- Mitrovicë, që është lidhur në mes të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Fondi I OPEC për Zhvillim Ndërkombëtarë.  Shuma e huas është 20 milion dollar shlyerja e të cilës do të fillojë në gusht të viti 2018 dhe do të përfundojë në shkurt të viti 2033.

Strategjia kombëtare për riintegrimin e personave të riatdhesuar në Kosovë, është edhe një dokument tjetër i politikave të Qeverisë së Republikës së Kosovës në fushën e migracionit dhe riintegrimit të personave të riatdhesuar, paraqesin një aspekt të rëndësishëm në marrëdhëniet e Republikës së Kosovës me shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, në kuadër të angazhimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës për liberalizimin e vizave dhe për anëtarësim në Bashkimin Evropian.  Synim i përgjithshëm i Strategjisë së Riintegrimit është fuqizimi i mekanizmave të strukturuar mirë, të pavarur, plotësisht funksional dhe profesional për riintegrimin e qëndrueshëm të personave të riatdhesuar, në nivelin qendror dhe lokal.

Në vazhdim të realizimit të projekteve kombëtare të ndryshme të infrastrukturës, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimet përfundimtare për shpronësimin e pronave të paluajtshme të pronarëve dhe të zotëruesve të interesit, të cilat preken nga ndërtimet e rrugëve Prishtinë – Pejë, në zonat kadastrale Balincë, Llazicë, Mleçan dhe Kijevë të komunës së Malishevës; Për ndërtimin objektit administrativ të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave në zonat kadastrale të Hajvalis dhe Çagllavicës në komunën e Prishtinës.

Edhe vendimi përfundimtar i shpronësimeve të pronave që preken nga ndërtimi i autostradës Vërmicë-Merdar në zonat Banjë, Bellanicë, Carallukë, Tërpezë, Lladrofc, Shkarashnik, Temeqinë të komunës së Malishevës dhe Bllacë, Duhël dhe Sllapuzhan në Komunën e Suharekës, është miratuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Gjithashtu edhe vendimi tjetër i Qeverisë së Republikës së Kosovës ka të bëjë me shpronësimet e pronave që preken nga ndërtimi i autostradës Vërmicë – Merdar dhe të rrugës Prishtinë – Mitrovicë, në zonat kadastrale të komunës së Obiliqit dhe Prishtinës.

Kryeministri i Kosovës po ashtu kërkoi nga Ministri i Arsimi, Shkencës dhe Teknologjisë që të përshpejtohen të gjitha procedurat për themelimin e Universitetit Publik të Ferizajt./koha.net/

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.