/2L ONLINE/ – Pjesë e pandashme në të gjitha mbrëmjet ku u dhanë shfaqjet në kuadër të manifestimit të Dramës Shqipe “Talia e Flakës” ishte edhe regjisori nga Teatri Kombëtar i Stambollit, Orhan Kurtuldu, i cili është me origjinë nga Gjilani, e të cilit po ashtu i ka bërë përshtypje që publiku nga dëshira e madhe për t’u futur brenda, vetëm e vetëm për ta parë një shfaqje, ndodh që të thyhej edhe dera e teatrit.
Orhan Kurtuldu, regjisor në Teatrin e Stambollit, ka thënë se ajo çka ka parë në këtë teatër në Komunën e Gjilanit, nuk ka në asnjë vend shqiptarë, bile edhe në teatro të njohura nëpër botë. Ai ka vlerësuar lartë publikun që ka treguar aq interesim të madh, sa që të thyhen edhe dyert vetëm për të hyrë në teatër e parë shfaqjen. Hapësira brenda teatrit ishte e pamjaftueshme për gjithë atë interesim të madh të publikut.
“Në Gjilan për këto ditë, unë kam parë shfaqje dhe aktore të mrekullueshëm, por publiku dhe interesimi i jashtëzakonshëm i tyre për të ndjerë emocionin i cili del nga shfaqjet dhe teatri, vërtetë është i paparë. Në një vend ku nuk ka interesim të publikut për teatër, ai vend ka vdekur”, ka thënë Kurtllu, në fjalën e tij. /2L ONLINE/