Edhe opozita bojkoton Kuvendin deri në plotësimin e Komisionit për PTK-në

(E plotësuar) Ndërsa deputetët e koalicionit qeverisës, me PDK-në bosht, s’u shfaqën fare sot në fillimin e mbledhjes së Kuvendit të Kosovës, duke shantazhuar kështu plotësimin e  Komisionit Hetimor për Privatizimin e PTK-së, këtë hap e ndërmorën në vazhdim edhe ata të opozitës, si kundërpërgjigje dhe me qëndrimin se kështu do të veprojnë derisa pozita të sillet në përputhje me përgjegjësitë që ia jep Kushtetuta dhe ligjet.

Braktisjen e seancave derisa të mos plotësohet Komisioni për PTK-në dhe se këtë çështje do ta shtrojë në fillim të çdo mbledhjeje edhe kur ka në rend dite çështje të tjera, e kumtoi Ismet Beqiri i LDK-së, të cilit iu bashkjua edhe ai i Vetëvendosjes Visar Ymeri.

Ndërkohë mbledhja u mbyll meqë tash përveç deputetëve të pozitës, mungonin edhe ata të opozitës.
Drejtuesi i mbledhjes, Jakup Krasniqi, i cili në ndërkohë u rikthye, e shpalli të mbyllur mbledhjen, duke paralajmëruar se vendimin nëse do të mblidhet Kuvendi gjatë kohës së fushatës për zgjedhjet lokale, ose jo – do të vendosë Kryesia në mbledhjen e radhës.   

Pozita sërish bojkoton kuvendin që e mbisundon
 
(E plotësuar) Deputetët e koalicionit qeverisës të Kuvendit të Kosovës nuk janë shfaqur në hapje të seancës së sotshme, në të cilën sipas rendit të ditës duhet të plotësohet Komisioni hetimor për rastin e privatizimit të kontestuar të 75 përqindshit të aksioneve të PTK-së. Në seancë përveç deputetëve të opozitës u pa edhe Hidajet Hyseni kurse kryeparlamentari, Jakup Krasniqi, që vjen nga radhët e PDK-së, po ashtu e hapi mbledhjen. Seanca ka nisur me deklarime jashtë rendit të ditës dhe kjo pikë sapo përfundoi.
Pika tjetër, standarde e rendit të ditës së Kuvendit – Pyetje të deputetëve, po ashtu duket se do të mbyllet shpejt, meqë, siç u shpreh Sabri Hamiti,   momentalisht po e drejton seancën, mungon kabineti qeverisës, të cilit i drejtohen pyetjet. Disa deputetë megjithatë kanë shtruar pyetjet, të cilave s’ka kush t’u përgjigjet.

 
“Rasti” PTK sot sërish para deputetëve

Kuvendi i Kosovës në mbledhjen e sotme plenare si pike e parë e rendit të ditës është formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit të 75 % të aksioneve të PTK-së.Më pas do të shqyrtohen për herë të parë katër projektligje: Projektligji për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, Projektligji për Agjencinë e Menaxhimit Emergjent, Projektligji për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, si dhe Projektligji për aktet normativ.

Në vazhdim të seancës do të emërohen anëtarët e Organit Përzgjedhës të Pavarur për zgjedhjen e kryesuesit dhe anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit, kurse në përfundim të seancës do të shqyrtohet Propozim-vendimi i Qeverisë për emërimin e anëtarëve të Bordit të Agjencisë Kosovare të Pronës./koha.net/

KOMENTE