(2L ONLINE)- Bordi i Federatës së Basketbollit të Kosovës i ka dhënë edhe një mundësi skuadrës së Dritës për të qenë pjesë e Superligës. Mirëpo, Drita duket se ka mbetur prapa në aspektin organizativ pasi që afati prej 48 orëve duket tejet i vogël për ti përmbushur kriteret për licensim.
Bordi i FBK-së, në mbledhjen e mbajtur të shtunën diskutoi për zhvillimet e fundit në basketbollin e Kosovës. Pasi ka shqyrtuar kërkesat e klubeve të dënuara në mesin e tyre edhe klubi gjilanas Drita, bordi ka vendosur që skuadrave tu jepet edhe një mundësi për të qenë pjesë e elitës. Mirëpo afati për ti plotësuar kushtet e lincensimit duket tejet i shkurtër për klubin bardh e kaltër që siç duket do ta ketë tejet të vështirë të arrijë në kohë.
Kryetari i KB Drita, Fazli Fazliu është shprehur për Portalin 2L ONLINE se do ta kenë shumë vështirë të organizohen deri të martën sidomos me kategoritë e reja.
“Departamenti për Rini, Kulturë dhe Sport i Komunës së Gjilanit ia ka dërguar me shkrim garancinë FBK-së se gradualisht do t’i kryejë obligimet tona. Unë besoj se kjo do të duhej të mjaftonte që ne të fillojmë garat. Është apsurde të mendohet që për 48 orë ne mund të organizohemi ashtu siç kërkohet”, pohoi Fazliu.
I pyetur lidhur me të ardhmen e të rinjve gjilanas, kryetari Fazliu u shpreh: ‘’Ne i kemi angazhuar trajnerët dhe jemi duke punuar në këtë drejtim por siç thashë edhe më lartë është e pamundur të plotësohet kriteret e parapara’’.
Kujtojmë se skuadra e Dritës sezonin e kaluar ishte sensacion i ligës duke e humbur luftën për play-off,ndërkohë që me një mundësi tjetër për garim gjilanasit do të ishin “arrë” e fortë për skuadrat tjera elitare.
/Drilon SYLEJMANI / 2L ONLINE/