Për Enver Hoxhaj, Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Prishtinë
(2LONLINE) – Në emër të komunitetit shqiptar, respektivisht, qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Edmonton – Kanada, ne si përfaqësues të tyre, së pari ju shprehim respektin dhe përgëzimin tone për rolin Tuaj në udhëheqjen e suksesshme të MPJ-së si dhe veçanërisht për vendimin Tuaj të fundit për të hapur Ambasadën e Kosovës edhe në Kanada.
Kanadaja ka qenë dhe mbetet vend mik i Kosovës. Për ne, mbetet atdheu i dytë. Prandaj, ne e mirëpresim dhe e përkrahim fuqishëm vendimin Tuaj për hapjen e Ambasadës së Kosovës në Otavë sepse për ne do të ofronte pranë shtetin tonë amë, gjerësa për Kosovën do të ofronte shumë më afër Kanadanë nga e cila shteti ynë mund të përfitojë shumë në të gjitha sferat.
Duke patur parasysh rendësinë e Kanadasë dhe marrëdhënieve të saj me Kosovën, si dhe duke patur parasysh edhe interesat e komunitetit tone në Kanada, ne besojmë se në vendin e përfaqësuesit diplomatik të Republikës së Kosovës në Otavë (qoftë si Ambasador apo si i Ngarkuar me Punë, fillimisht) do të duhej të jetë një njeri i përkushtuar, i përgatitur, dhe i njohur me institucionet dhe punën e tyre në Kanada.
Në këtë kontekst, ne besojmë fuqishëm që z. Faton Bislimi është zgjedhja më ideale për këtë pozitë, sepse ai ka përgatitjen e duhur akademike dhe profesionale, ka njohuritë për punën dhe sistemin e institucioneve qeverisëse Kanadeze, si dhe përkushtimin e parezervë për t’i shërbyer vendit por edhe komunitetit tone këtu.
Si bashkatdhetar yni, z. Bislimi dallohet për të arriturat e tij dhe punën e tij të vlerësuar jo vetëm nga komuniteti ynë por edhe nga shteti Kanadez. Z. Bislimi tani është doktorant dhe studijues në marrëdhënie ndërkombëtare në një nga universitetet më të mira të Kanadasë, University of Alberta, dhe paraprakisht ka qenë ligjërues universiteti në dy universitete kanadeze në Halifax. Profesori Bislimi, siç edhe mund ta dini, njihet në botën shqiptare për punën e tij më shumë se dhjetëvjeçare tani edhe me lobin shqitparo-amerikan në SHBA dhe afërsinë e tij me shumë personalitete të politikës Amerikane e Kanadeze. Profesori Bislimi deri më tani, qoftë edhe joformalisht, ka shërbyer si një ‘ambasador’ yni i mirëfilltë, dhe ka realizuar, ndër të tjera, edhe disa projekte bashkëpunimi në fushën akademike në mes universiteteve në Kanada dhe studentëve në Kosovë.
Ne besojmë fuqishëm se misioni Juaj për diplomaci efektive të Kosovës përputhet me propozimin dhe përkrahjen tonë të parezervë për z. Faton Bislimi. Ne besojmë se vendimi Juaj në favor të së mirës së përgjithëshme të vendit tonë, si dhe në përgjigje të kërkesës dhe përkrahjes sonë në këtë rast, do të jetë i shpejtë. Ju e dini rolin që diaspora jonë ka luajtur dhe vazhdon të luajë për të mirën e Kosovës, andaj, ne presim që në përcaktimin Tuaj për pozitën e përfaqësuesit të Kosovës në Otavë do të zë vend meritor edhe kjo shkresë e jona.
Në fund, Ju urojmë suksese të vazhdueshme në çuarjen përpara të njohjes ndërkombëtare të Kosovës dhe urojmë që do të keni rastin të na vizitoni edhe neve në këto vise të largëta të Kanadasë. /2lonline/
Dr. Abedin Halilaj
Kryetar i Shoqatës Shqiptaro-Kanadeze
Edmonton, Alberta