(2LONLINE) – Si duket ish kryetari i Degës së PDK-së së Gjilanit, Izmi Zeka dhe nënkryetari i Degës së PDK-së Qemajl Mustafa, me dorëheqjet e tyre nga këto pozita që mbanin, e kanë ngrehur siç thuhet në popull “këmbën zvarrë”, pasi po vazhdon vala e dorëheqjeve nëpër struktura të partisë. Ditë më parë kishte dhënë dorëheqje Fatmir Daku, nga të qenit kryetar i nëndegës së 19-të, e tani dorëheqje nga pozita e kryetarit të nëndegës së 6-të, Lagja “Kodra e Dëshmorëve”, ka dhënë edhe Shaqir Ukshini.
Ai në shkresën e tij, drejtuar kryesisë së Degës së PDK-së në Gjilan, ka njoftuar për aktin e ndërmarrë dhe arsyet pse e ka bërë një gjë të tillë.
Në letër-dorëheqjen e ofruar të Ukshinit, që mbanë datën e sotme, e që e ka siguruar Portali 2LONLINE, thuhet se duke e pa situatën e krijuar në PDK, ai jep dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit të nëndegës në fjalë dhe më pas edhe ka numëruar, siç thotë ai, faktorët që e kanë sjellë deri te ky vendim i tij.
“Përcaktimi i paqartë i një numri të funskionerëve dhe aktivistëve të partisë, menaxhimi dhe angazhimi jo në nivelin e dëshiruar të Degës, së paku që nga viti 2010 e deri më sot, Qeverisja lokale jo sipas programit dhe strukturave të PDK-së, por me të tjerë, sidomos në mandati ne dytë (2010 – 2013), si dhe ndërhyrjet e shpeshta nga niveli qendror në Degën e Gjilanit, ku nuk zbatohej statuti i partisë e as rregulloret”, janë disa nga arsyet që i ka numëruar Ukshini.
Ai ka thënë tutje se e ka marr këtë vendim me bindjen se do të gjen mirëkuptim edhe në nëndegën të cilën e ka udhëheqë deri më sot, me këtë rast, i ka falënderuar për punën e palodhshme të gjithë anëtarët e kryesisë së nëndegës.
Përndryshe, as Shaqir Ukshini sot e as Fatmir Daku, në dorëheqjen e djeshme, nuk kanë sqaruar për angazhimet e tyre në të ardhmen, kur është në pyetje politika, por se nuk përjashtohet mundësia e lëvizjeve të reja në skenën politike të Gjilanit, aq më parë kur, burimet e Portalit 2lonline brenda PDK-së bëjnë të ditur se trendi i dorëheqjeve nëpër nëndegë do të vazhdojë edhe në ditët tjera dhe se nuk përjashtohet mundësia që të dorëhequrit, me përkrahës të tyre, të ndërrojnë ambientin politik, duke u larguar krejtësisht nga të qenit në PDK. /2lonline/