Tani, në këtë kohë të pandemisë, ku rutina e mëparshme ka ndryshuar, për shkak të masave të ndërmarra në përballje me koronavirus, ndër tjerash, edhe forma e të mësuarit ka ndryshuar.
Pas ndërprerjes së procesit mësimor në objektet shkollore, si preventivë për t’u mbrojtur nga COVID -19, edhe Komuna e Gjilanit ka aplikuar dhe po e aplikon akoma mësimin nga distanca, të cilën ka nisur më 16 mars, përmes platformës së saj, ueb-aplikacionin për mësim elektronik.
Po ashtu për mësimin nga distanca shfrytëzohet edhe platforma e MASHTI-t, ndërsa ndërkomunikimi në relacionet, mësimdhënës, nxënës, prindër, bëhet përmes formave të ndryshme ( tel, viber, skype, zoom, google…).
Mësimin nga distanca po e aplikojnë nxënësit e shkollave publike në komunën e Gjilanit duke përfshirë edhe ato nëpër fshatra. E në këtë formë të zhvillimit dhe edukimit janë përfshirë edhe parashkollorët e shkollës “Bajram Curri” në Shurdhan të Gjilanit.
Njëra që po punon me zell me ta, për t’i realizuar aktivitetet ditore, të parapara në edukimin në distancë e që ka të bëjë me kujdesin, zhvillimin dhe edukimin e fëmijëve të kësaj moshe, është edhe edukatorja Valentina Jashari.
Ajo ka bërë me dije për Portalin 2LONLINE.com, se po i përdor platformat e komunës si dhe MASHTI-t për ta realizuar planprogramin e paraparë, ndërsa ka vlerësuar lartë edhe prindërit që janë të kyçur më këtë proces dhe po kontribuojnë që kjo formë e mësimit nga distanca të jetë efektive. Ajo tha se është e kënaqur shumë edhe me fëmijët për përfshirje në aktivitetet e parapara dhe kryerjen e detyrave.
Ndërkohë kur jemi te sfidat me të cilat po ballafaqohet, ajo tha se duke qenë shkollë në zonën e Karadakut po hasin në vështirësi pasi që disa prej familjeve nuk e kanë standardin që të kenë pajisje teknologjike të domosdoshme por po ashtu kjo zonë ka edhe probleme me WiFi.
Jashari ka thënë për Portalin 2LONLIN.com, se loja e fëmijës ka një rëndësi të shumëfishtë në zhvillimin e tij të plotë. Ajo kontribuon në zhvillimin e të gjitha funksioneve psikofizike të fëmijës, të aftësive dhe njohurive të tij. Loja krijon kushte për formimin e një personaliteti emocionalisht të qëndrueshëm, të socializuar dhe kreativ.
“Në aspektin shoqëror dhe emocional, loja është një lloj përgatitjeje për jetën e fëmijës në shoqëri dhe me të tjerët. Fëmija në të njëjtën kohë i zhvillon ndjenjat e tij duke përjetuar vazhdimisht një marrëdhënie të re me aktivitetet dhe lojërat e ndryshme me shokët e grupit në të cilin luan, me botën e jashtme dhe me vetveten”, thotë edukatorja Jashari, për të shtuar se ndihet e lumtur që po kontribuon edhe në këtë formë që fëmijëve parashkollorë mos t’u mungojë angazhimi në zhvillim dhe edukim të mëtutjeshëm të tyre.
Përndryshe, ajo ka falënderuar edhe drejtuesit e shkollës si dhe ata të Drejtorisë Komunale të Arsimit për përkrahjen e ofruar që edukatorët, por edhe mësimdhënësit e tjerë ta kryejnë punën e tyre.