Edhe në Kamenicë do të mbahen ushtrime simulante, bashkë me FSK-në

Edhe në Kamenicë do të mbahen ushtrime simulante, bashkë me FSK-në

Komuna e Kamenicës në bashkëpunim me Forcat e Sigurisë së Kosovës, do të organizojnë disa ushtrime në këtë komunë, të cilat ushtrime realizohen si simulime të gjendjeve emergjente në rast se ballafaqohemi me to.

Do të krijohen 11 situata të ndryshme simulative, të cilat do të realizohen nga data 11 nëntor deri më datën 13 nëntor 2019.

Situata e parë do të nisë në shkollat e mesme në Kamenicë, me paramendimin se po ndodhë një termet 5.5 shkallë.

Në këtë proces do të përfshihen dhe do të jenë në vendin e ngjarjes Policia e Kosovës, Zjarrëfikësit, Kryqi i Kuq, Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Kamenicë, FSK dhe Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Drejtoresha për Mbrojtje dhe Shpëtim, Pajtesa Kryeziu, në një takim me të gjithë këta akterë ndau përgjegjësitë dhe tregoi në detaje se si do të realizohen ushtrimet.

Sipas saj, është shumë i rëndësishëm promovimi i zhvillimit të kapaciteteve për rastet emergjente.

Drejtoresha Kryeziu, bën apel tek qytetarët të mos krijojnë panikë nëse gjatë këtyre ditëve të parapërgatitjeve shohin FSK-në, Policinë, Zjarrëfikësit e gjithë akterëve të tjerë.

Nga dita e premte do të fillojnë me përgatitjen e vendqëndrimeve (shtabeve të tyre) dhe e gjitha do të jetë vetëm për ushtrimet simulante.

Gjithashtu, edhe Komuna e Kamenicës në oborrin e objektit të saj do të ngrisë qendrën e saj operative dhe emergjente.

Këto janë 11 situatat që do të realizohen:

Data 11 nëntor 2019
1. Tërmet 5.5 shkallë në shkollat e mesme. Intervenimi në ora 14:00.
2. Bllokimi i rrugëve në Kranidell. Intervenimi në ora 17:00

Data 12 nëntor 2019
3. Evakuimi i të zhvendosurve në Stacionin e Autobusëve në Kamenicë. Intervenimi në ora 09:00
4. Shpërthimi i Zjarrit në shkollën “Skënderbeu”, Hogosht. Intervenimi në ora 11:00.
5. Mjetet Kontaminuese në Shtëpinë e Kulturës. Intervenimi në ora 12:00.
6. Persona të humbur në Male, në Krilevë-Artanë. Intervenimi në ora 12:00.
7. Revoltimi i turmave brenda Kampit në Stacionin e Autobusëve. Intervenimi në ora 14:30.
8. Shpërndarja e ndihmave në Kamp, në Stacionin e Autobusëve. Intervenimi në ora 15:00
9. Operacionet e Sigurisë në Grup Kriminal në Vaganesh. Intervenimi nga ora 19:00 deri ditën e nesërme në ora 10:00.

Data 13 nëntor 2019
10. Aksident trafiku në Kamenicë. Intervenimi në ora 11:00
11. Kordon Kërkimi në Kamenicë. Intervenimi në ora 13:00.
Të pranishëm në këto ushtrime do të jenë edhe disa përfaqësues të Komunës së Novobërdës.

KOMENTE