/2L ONLINE/ – Kreu i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri-Luta, ka shpërfaqë entuziazmin e tij që në ato shtatë ditë sa zgjati Festivali i dramës Shqipe “Talia e Flakës”, e ku u dhanë tetë shfaqje, publiku ishte jashtëzakonisht i interesuar për t’i përcjellë ato, dhe kjo u pa edhe në numër.
“Gjilanasit janë ata që e thejnë derën për të hyrë brenda në Teatër. Jo vetëm për shtatë ditë që janë dhënë tetë shfaqje, por për 70 ditë po të jepeshin 80 shfaqje, ky teatër do të ishte përplot, sepse janë njerëz të kulturës, të dramës dhe të artit në përgjithësi”, ka thënë Haziri.
Përndryshe, Haziri, ka kujtuar 25-vjetorin e “Flakës…” me elaborimin e shumë vështirësive të filleve të saj, duke informuar të gjithë artistët dhe publikun për dyfishim të buxhetit për Kulturën, jashtë financimit të manifestimit “Flaka e Janarit”.
“Kur kemi nisur me “Flakën…”,teatër e kishim shkollën e Përlepnicës, Bresalcit dhe i shkollave tjera sepse teatrin nuk mund ta shfrytëzonim. Edhe në atë kohë, asnjëherë nuk e kemi ndalur besimin për teatrin shqip, për kulturën dhe vlerat kulturore në Gjilan. Për këto ditë kishim kënaqësinë që në Gjilan të kemi aktorë të mëdhenj, regjisorë, dramaturg dhe artdashës në përgjithësi nga të gjitha trojet shqiptare, por edhe regjisorin e njohur nga Teatrit Kombëtar të Stambollit, Orhan Kurtuldu ”, ka thënë kryetari Haziri.
Ai tha tutje se ky qytet është i Beqir Musliut, i njeriut të madh të letrave shqipe dhe përkushtimit për letërsinë dhe teatrin, është qytet i Mirko Gashit, që ishte njeri i madh i letrave shqipe, i Rexhep Elmazit, që u privua nga jeta në lulen e rinisë, por edhe i shumë njerëzve të mirë të letrave që ky qytet i jep për gjithë shqiptarët. Ata që i dhanë shumë këtij teatri për së gjalli e vdekuri, janë Muharrem Shahiqi, Ibrahim Shabani e shumë të tjerë.
Kreu i Gjilanit ka dhënë lajmin se buxheti për Kulturën është 200 mijë euro dhe kështu për herë të parë pas luftës po ndodhë stabilizimi i teatrit në Gjilan, duke mos llogaritur këtu shpenzimet për “Flakën e Janarit”, që janë shpenzime shtesë këto, sikur që këtë vit bashkë me Ministrinë e Kulturës do të investohen mbi 120 mijë euro pikërisht në Teatër.
Haziri ka thënë se do të kërkoj nga dy Ministritë e Kulturës, në Prishtinë dhe Tiranë, që këtë manifestim të “Flakës së Janarit”, ta vendosin përfundimisht në kalendarin kulturor të shqiptarëve, sepse e meriton pas 25 vjetësh të trajtohet në mënyrë institucionale dhe të mos mbetet vetëm në vullnetin e Komunës. /2L ONLINE/