Edhe kjo poezi ruan një kujtim për Mirko Gashin…
Sabit RRUSTEMI
… Ishte pranverë e vitit 1984. Data s’më kujtohet. Banoja tek FONTANA, në Prishtinë, në një kompleks banesash, me poetin Faruk Tasholli, i cili ishte atë kohë redaktor kulture në “Bota e re”.
E kisha shkruar këtë poezi dhe, i a kisha lënë mbi tavolinë. E, isha nisur për në shtëpi. Ishin ditët e vikendit…
…kur ish kthyer pasdite dikur vonë, Faruku, kish parë poezinë, e kish lexuar dhe, pa lejen time, natyrisht, kish vendosur për ta botuar nën emrin e dajës, Isa Ajeti, të cilin dhe ai e njihte, meqë mua nuk më lejohej atë kohë të botoja në asnjë gazetë… A, unë s’ dija gjë…
Me të dalë “Bota e re”, Mirko Gashi, një lexues i pasionuar i saj, merr gazetën dhe, se si ndalet tek kjo poezi. E intrigon si duket dhe titulli “KARTAGJENA”. Dhe, pa një pa dy, me gazetën nën sjetull, shkon në redaksinë e “Botës…” ku e kërkon Farukun.
“Më thuaj pa rrena, a është kjo poezi e Sabitit”?
Faruku hamendet.
“Baca Mirk, po e ka emrin, shihet e kujt është”!
Ai nuk lëshon pe…
“Unë e lexova emrin dhe mbiemrin…e lexova edhe poezinë…po, më trego drejt, a është e Sabitit”?
Faruku më s’ka se si t’ i jap lak…
“Po, baca Mirk, po…
“E di unë, e di…po e njoha që ish e tij”…
Dhe, kjo është arsyeja që e publikoj dhe për ju….
KARTAGJENA
1.
Kthej në Kartagjenë
Për një fjalë
Hisen tënde ruaje Hanibal
Larg udha për në Romë
Mbyte lakminë
Hakmarrjen
Nëse e do Kartagjenën
Ruaje këtu
Larg është Roma
Udha zigzage
Hanibal
2.
Hanibali s’është
Bishtdhelpërat ndjek
Shteg më shteg
Dredhojnë dredhaket
Jetën të varur e kanë
Në dredhina
Hanibali trim i çmendur
S’di ç’është dinakëria
Gjaku ia ka verbuar sytë
S’ndalet një çikë
Gjykon përngutë
Merr udhë
Furtuna në furtunë
3.
Lëshoj zë me tërë fuqinë
Zëri nuk e zë
Ia ndez dritat prapa
Prapa s’shikon ai
Ç’bën kështu Hanibal
Ndalu Hanibal
Kartagjenës ç’t’i bëj
Në djall vafsh Hanibal
4.
Hanibali
Shkelë udhët e pashkelura
S’di ç’janë gratë e pakrehura
Hyllek kah hyllet vetëm ai
Kthehet a s’kthehet s’mendon ai
I tmerrshmi shkurtpamës
S’mbahet shtëpia pa zot
Kartagjena buzë detit
5.
Ç’ erdha pas
Kur nuk të gjeta
Ç’ fola kot
Kur nuk të zura
Ç’ udhë të marr
Kur të mbyllet udha
Po vijnë ulkonjat
Ato bushtra
Fshehtas detit natën
6.
Ti ecën maleve
Luftë i shpall natyrës
Mbrapa s’ kthehesh
Shkon tutje
7.
E Kartagjena
E Kartagjena
Ia prishën gjumin romakët
E ngulfatën ankthet
E mbërthyen zjarret
Shembet rrëzohet
Shket detit
Niset pas teje Kartagjena
Po deti i gjerë deti i thellë
Kartagjena s’është më
Kartagjena në fund të detit
8.
Hanibali para portave të Romës
Fëmijët frikohen
Fshihen pas nënave
Nënat me duar mbi kokë
Kukasin
Mallkimin shprazin
9.
Do të befasohesh
Do të çmeritesh
Kur të hapen portat
Hanibal
Përpara të shfaqet koka ime
I vetmi kujtim nga Kartagjena
Loja më djallëzore
Drama për infarkt
Bëhu i fortë
Kartagjenën kujto
Shokët që ke pas
Më harro mua
Hanaibal
Më harro
Më harro
Ç’ po flas
O ç’ po flas kur s’më dëgjon
( E botuar në “Bota e re” , 1984, me pseudonimin: Isa Ajeti )