Edhe këtë vit vazhdon pastrimi i disa objekteve arkitekturore të rajonit të Anamoravës

Edhe këtë vit vazhdon pastrimi i disa objekteve arkitekturore të rajonit të Anamoravës

Me financimin Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në kuadër të projektit ”Mirëmbajtja dhe Pastrimi, Mbrojtja dhe Ruajtja e Trashëgimisë Kulturore”, Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Gjilan edhe këtë vit është duke bërë pastrimin e bimësisë në objektet e Trashëgimisë Kulturore që janë në mbrojtje të Përkohshme.

Duke parë se oborret dhe muret e shumicës së objekteve në Mbrojtje të Përkohshme janë mbushur me bimësi dhe shkurre, sikurse edhe kanë filluar të dëmtohen edhe muret e kulmet, QRTK ka hartuar planin veprues për pastrim dhe ka filluar menjëherë pastrimin e këtyre objekteve.

Pastrim më të nevojshëm ka pasur edhe objekti Mulliri dhe Valanica e Vishëve në Binçë, prandaj ekipi i punëtorëve këto ditë ka pastruar këtë objekt të komunës së Vitisë.

Ekipi i QRTK-së ka prerë shkurret, drunjtë e shumtë, ka kositur barin dhe ka hedhur preparate për tharjen e barit rreth e përqark objektit.

Pas largimit të bimësisë kanë dal në pah dëmtimet e murit, kulmit e pjesëve tjera të këtij objekti.

Përndryshe, mulliri dhe valanica të vendosura në pjesën jugore të fshatit, pranë lumit të Moravës së Binçës, pothuajse ishte mbuluar tërësisht nga bimësia.

Sipas të dhënave të pronarit, ky objekt është ndërtuar në fillim të shek. XIX. Edhe pse nën një kulm aty kanë funksionuar dy “fabrika”. Njëra për bluarjen e drithit e tjetra përgatitjen e përpunimin e zhgunit, gjegjësisht tekstilit, prej të cilave janë bërë veshjet.

Për shkak të vlerës arkitektonike dhe të raritetit, pra duke qenë se në tërë rajonin e Moravës nuk ka tjetër objekt të valanicës, është vënë në mbrojtje të përkohshme. Edhe pse ka pasur nevojë për intervenim, deri tash, mundësitë kanë qenë të vogla për ndërhyrje renovuese, prandaj edhe objekti është dëmtuar në masë.

Gjithashtu këto ditë janë pastruar edhe sisa objekte tjera si: xhamia e Llocës, xhamia në Dunav, xhamia e Meshinës, xhamia e Vryqecit, xhamia e Zhujës dhe Lagja e Malokëve në Selishtë.

KOMENTE