/2L ONLINE/ – Nga e hëna sërish do të fillojnë protestat e punëtorëve para Kompanisë EcoHigjiena në Gjilan. Duke iu referuar Këshillit të Punëtorëve të Kompanisë EcoHigjiena, gjendja atje është e rëndë, trendet negative po vazhdojnë dhe se punëtorët vlerësojnë se nuk ka shpresë për përmirësim. Madje, Këshilli i punëtorëve i ka shkruar shkresë edhe kreut të komunës dhe drejtorive përkatëse asaj për shërbime publike, dhe për zhvillim ekonomik, si dhe Komisionint të Aksionarëve me të cilën e kanë njoftuar për gjendjen aktuale në këtë kompani dhe me kërkesën për të ndërmarrë hapa konkret për zgjidhjen e krizës në këtë Kompani.
Përndryshe, siç mësohet, kësaj here forma me të cilën do të shprehin pakënaqësitë punëtorët e Kompanisë EcoHigjiena, janë protestat e përditshme njëorëshe para zyrave të kompanisë. Këshilli i Punëtorëve ka vendosur që protesta të nis të hënën, ku për çdo ditë deri të enjten do të protestohet nga një orë edhe atë në intervalin prej orës 08:00 – 09:00.
Në arsyetim që do të ndërmerret ky hap Këshilli i Punëtorëve të Kompanisë EcoHigjiena, vlerëson se gjendja është e vështirë dhe pasojat e tashme dhe të ardhshme në lidhje me zhvillimet negative në kompani janë evidente dhe ka pak fije shprese për përmirësim.
“Edhe më herët kemi njoftuar të gjitha institucionet për këtë gjendje dhe pasojat që do të këtë kjo situatë e krijuar. Ne jemi detyruar te hyjmë në marrëveshje përkundër vullnetit tonë, marrëveshje që ka pasur pasoja për neve, mirëpo në jemi detyruar ta zbatojmë për shkak se ka ndërmjetësuar Komuna e Gjilanit, mirëpo shkelësi i kësaj marrëveshje ishte partneri privat gjegjësisht u.d Senad Ramaj dhe Gerhard Dummer. Ne jemi në pozitë të vështirë, do të mbetemi pa paga, sepse tani kemi mbetur edhe pa kontratën e mirëmbajtjes se hapësirave publike, vlera e të cilës është mbi 300.000.00€. Pastaj falja e borxheve në kundërshtim me të gjitha normat ligjore, tani si rezultat i faljes pa kritere ka rënë edhe inkasimi që për këtë muaj është rënie shumë e madhe dhe sigurisht se nuk do të munde t’i mbulojmë as pagat e tona, nuk do të munde as të kryejmë shërbime konsumatorëve tanë të cilët kanë qenë shtylla kryesore e mbijetesës tonë”, thuhet në arsyetimin e Këshillit të Punëtorëve përmes të cilës bëhet e ditur hapi që do të ndërmarrin.
Pikërisht mbi këto që thuhen por edhe shumë ngjarje të ndodhura në kompani që kanë pasur efekte negative dhe që do të ndikojnë negativisht për të ardhmen e kompanisë, Këshilli i Punëtorëve ka vendosur për protestën në fjalë që do të nis nga e hëna. /2L ONLINE/
fotoilustruese