EcoHigjiena: Punëtorët nuk heqin dorë nga kërkesa që Ramaj të jep dorëheqje

/2L ONLINE/ – Ka vazhduar edhe sot bojkoti i punëtorëve të Kompanisë “EcoHigjiena”, në Gjilan, të cilët mbesin para kërkesës së tyre që UD i drejtorit ekzekutiv Senad Ramaj, të jep dorëheqje. Hamdi Sejdiu nga Këshilli i Punëtorëve të “Eco-Higjiena”, ka thënë për Portalin 2L ONLINE, se punëtorët janë të palëkundur në këtë kërkesë të tyre ndërsa ka bërë me dije po ashtu se sot ata janë takuar edhe me Faton Bislimin, si përfaqësues i kryetarit të Komunës Lutfi Haziri, Agim Zuzakun, drejtori i Drejtorisë për Zhvillimit Ekonomik dhe Xhelal Jetishin, kryesuesi i Komisionit të Aksionarëve të Kompanisë Ecohigjiena.

Ai tha se edhe atyre iu është bërë e ditur se punëtorët do të jenë të palëkundur në kërkesën e tyre që UD i drejtorit ekzekutiv Senad Ramaj të jap dorëheqje dhe se deri në realizim të kësaj kërkese, bojkoti do të vazhdojë, ndërsa nga ta është kërkuar që punëtorët të ndërpresin bojkotin dhe t’i japin hapësirë zgjidhjes së kësaj çështje me bisedime.

Po ashtu, Sejdiu në emër të Këshillit të Punëtorëve të kësaj Kompanie ka bërë me dije se atyre iu është thënë nga përfaqësuesit e komunës se në mbledhjen e Bordit që mbahet sot do të kërkojnë që të shpallet konkurs për drejtor, të mos ketë asnjë suspendim të asnjë punëtori dhe të respektohet vendimi i Gjykatës për kthim në punë të dy kolegëve të tyre, por kjo mbetet çështje e tyre .

Sejdiu thotë se ndonëse një takim i tillë i Bordit tani më është kryer, nuk janë njoftuar akoma se çfarë ka ndodhur aty, e veçmas ajo që edhe iu intereson atyre, se a ka dhënë dorëheqje, apo jo, Ramaj.

Përndryshe, Këshilli i Punëtorëve vlerëson vullnetin e kryetarit dhe komunës për të qëndruar siç thonë ata, krah punëtorëve, dhe në respekt të kësaj dhe në respekt të qytetarëve si dhe institucioneve komunale kanë vendosur që katër ekipe të dalin vullnetarisht në qytet për ta pastruar qendrën e qytetit, gjë që edhe është bërë, por vetëm sot.

Bojkoti i punëtorëve do të vazhdojë sot deri në orën 16:00, ndërkohë që nesër do të veprohet prapë njëjtë. Në ndërkohë Portali 2LONLINE, mëson se komuna i ka ftuar përfaqësuesit e Këshillit të Punëtorëve në një takim urgjent, i paraparë për në ora 15 e 30, dhe pritet për t’u parë zhvillimet e reja për këtë çështje. /2L ONLINE/



KOMENTE