/2L ONLINE/ – Ka disa ditë që punëtorët e Kompanisë Ecohigjiena, nën organizimin e Këshillit të Punëtorëve, mbajnë protesta njëorëshe (08:00 – 09:00), para zyrës së kësaj Kompani për t’i shprehur pakënaqësitë e tyre në lidhje me gjendjen aktuale në këtë Kompani. Por, Portali 2LONLINE, mëson se sot kjo protestë do të zhvendoset para sallës së Kuvendit Komunal të Gjilanit, ku në ora 10:00 do të nis seanca e VIII-të e Kuvendit e ku njëra ndër pikat e rendit të ditës është edhe raporti i punës për vitin 2015 i Komisionit komunal të aksionarëve të “Eco-Higjiena” SH.P.K.
Mësohet se punëtorët protestues do t’ia “zënë derën” këtij kuvendi për t’i përçuar pakënaqësitë e tyre te anëtarët e Kuvendit, për të cilët ata kanë edhe një kërkesë. “Këshilli i Punëtorëve të kompanisë Ecohigjiena, në Gjilan, Viti, Kamenicë e Novobërdë, me mbështetjen e punëtorëve, kërkon nga Komuna e Gjilanit, respektivisht Kuvendi Komunal, të marr hapa konkret për zgjidhjen e kësaj situate konformë përgjegjësive ligjore që i ka, në ruajtjen e pronës publike, dhe të bëjë prishjen kësaj marrëveshje të Partneritetit Publiko Privat, të dëmshëm, për Kompaninë, punëtorët dhe regjionin tonë”, thuhet në një kërkesë të Këshillit të Punëtorëve që e ka siguruar Portali 2LONLINE.
Në të, thuhet se është momenti i fundit për të shpëtuar diçka nga ajo që ka mbetur që 162 punëtorët të mos mbesin pa punë dhe të përfundojnë si raste sociale. Përndryshe, punëtorët kanë thënë se janë të vendosur dhe se nëse nuk ka hapa konkret në zgjidhjen e kësaj çështjeje, atëherë protestat dhe grevat në ditët e ardhshme mund të jenë të pandërprera.
Përndryshe, Këshilli i punëtorëve i kësaj Kompanie pritet që këtë shkresë-kërkesë t’ia dorëzojë Kuvendit, kuvendarëve, për t’i njoftuar ata edhe me gjendjen aktuale që sipas tyre po shkon drejt kolapsit. Ata shprehin frikn e humbjes së vendeve të punës. Ata po ashtu kanë listuar shqetësimet e tyre për gjërat që kanë ndodhë dhe po ndodhin në këtë Kompani, të cilat i kanë detyruar të protestojnë, që siç thonë ata, për ta ndalë degradimin e mëtutjeshëm.
Sipas tyre këto janë shqetësimet:
– Mos zbatimi I marrëveshjes së PPP,përkatësisht mos realizimi i planit për investime në vlerë 1.5 milion euro, ku si pasojë e kësaj ne tanimë gjendemi në gjendje kolapsi
– Shitja e aseteve të kompanisë,respektivisht kamionëve dhe mjeteve tjera duke e lënë kompaninë në gjendje të mjerueshme,pa shpresa përmirësimi dhe me automjete të vjetruara
– Kushtet e rënda të punës për punëtorët primar dhe rroga të ulëta
– Largimi nga puna i shumë punëtorëve pa asnjë bazë ligjore
– Mosrespektimi i ligjit të punës për kontratat e punëtorëve
– Rrezikimi për humbjen e kontratës për mirëmbajtjen e sipërfaqeve publike për shkak të obligimeve të mëdha ndaj ATK-së ( afër 800 mijë euro obligime ndaj shtetit dhe furnitorëve)
– Mos falja e borxheve sipas ligjit për faljen e borxheve dhe falja e borxheve jashtë ligjore veprim i cili ka sjellë në prishjen e klienteles
– Arrestimi dhe mbajtja në burg i UD Kryeshefit .Senad Ramajt,përfaqësuesi kryesor I këtij partneri që ka ndikuar negativisht në imazhin e kompanisë;
– Plaçkitja e kompanisë nga ana e ud edhe nga arresti shtëpiak;
– Humbja e shumë donacione nga qeveria dhe organizata të ndryshme për ambient
– Shantazhim dhe diskriminim të stafit profesional dhe avancime pa merita dhe joprofesionale.
Përndryshe, seanca e Kuvendit komunal të Gjilanit nis në ora 10: 00 dhe ky ëshët rendi i ditës.
R E N D P U N E
1. Konstatimi i prezencës së anëtarëve të Kuvendit dhe miratimi i procesverbalit të seancës së kaluar
2. Rekomandimet e Komitetit për Politikë dhe Financa:
2.1. Propozim Rregullorja mbi tatimin në pronë për vitin fiskal 2017
2.2. Propozim buxheti për vitin fiskal 2017
2.3. Raporti i Auditimit për pasqyrat financiare të Komunës së Gjilanit për vitin e përfunduar më 31.12.2015
2.4. Miratimi i iniciativës së kryetarit të Komunës për ndryshimin dhe plotësimin e Statutit të Komunës së Gjilanit
2.5. Informatë rreth korrje shirjeve 2016
2.6. Raporti i punës për vitin 2015 i Komisionit komunal të aksionarëve të “Eco-Higjiena” SHPK
2.7. Raporti i punës janar-qershor 2016 i Komisionit komunal të aksionarëve të NLP “Stacioni i Autobusëve”
2.8. Plani i veprimit për energji të qëndrueshme (PVEQ) i Komunës së Gjilanit
2.9. Propozim vendimi për lejimin e shfrytëzimit të pronës së paluajtshme komunale (Kisha Ortodokse në Cernicë)
2.10. Propozim vendimi për lejimin e shfrytëzimit të pronës së paluajtshme komunale (ndërtimi i Xhamisë në Nasalë)
2.11. Informatë nga DKA për fillimin e vitit të ri shkollorë 2016/2017
3. Të ndryshme
/fotoilustruese/