“Ecohigjiena” pastron ambientin përreth Liqenit të Livoçit

“Ecohigjiena” pastron ambientin përreth Liqenit të Livoçit

Tani kur qyteti i Gjilanit, sikurse çdo vend tjetër po ballafaqohet me pandeminë COVID-19, rëndësi të madhe, ndër tjerash, është duke iu kushtuar edhe higjienës. Por jo vetëm higjiena personale është e rëndësishme, por edhe ajo e mjedisit.

E, këto ditë është Kompania Regjionale për grumbullimin e mbeturinave “Ecohigjiena”, ajo që po përkujdeset për mjedisin përreth Liqenit të Livoçit, pas kontraktimit nga ana e Agjencisë për Zhvillim Rajonal-Lindje, Punëtorët e Kompanisë “Ecohigjiena”, janë duke bërë pastrimin e ambientit përreth Liqenit duke bërë largimin e mbeturinave për të krijuar kështu një ambienti të pastër, por edhe të këndshëm për vizitorë, transmeton Portali 2LONLINE.com.

Drejtues të kësaj Kompanie kanë bërë me dije se edhe në këtë kohë, kur si rrjedhojë e pandemisë Covid-19, që po u sjellë të gjithëve kufizime dhe vështirësi të mëdha, “Ecohigjiena”, nuk po ndalet, por po vazhdon punën e saj në terren me intensitet të plotë, duke bërë grumbullimin e mbeturinave të konsumatorëve të saj.

Për më tepër, punëtorët e kësaj kompanie këto ditë janë duke bërë pastrimin nga mbeturinat edhe të ambientit përreth Liqenit të Livoçit, e për të parë nga afër se si po ecën pastrimi i kësaj hapësire, sot te Penda e Livoçit ishte edhe drejtori i kompanisë, Senad Ramaj, i cili, për 2LONLINE.com, u shpreh i kënaqur me punën që po bëhet aty.

Sipas tij, kudo në botë Liqenet janë vende rekreative dhe tërheqëse për vizitorë dhe kështu do të duhej të ishte edhe ky Liqe prandaj është shumë e rëndësishme që ambienti përreth të jetë i pastër, pasi një ambient i pastër është edhe një destinacion i mirë për vizitë, aktivitete të ndryshme rekreative dhe sportive.

Ramaj tha se pasi punëtorët e kompanisë ta pastrojnë ambientin e ndotur përreth, këtu do të vendoset edhe një kontejner, por se e rëndësishme është që përveç pastrimit të ngritët vetëdija qytetare për t’u ruajtur ambienti i pastër dhe për t’u mirëmbajtur, e kur jemi te mirëmbajtja Kompania “Ecohigjiena” është shprehur e gatshme për të mirëmbajtur këtë pjesë në mënyrë më të mirë dhe me përgjegjësinë maksimale, nëse për këtë kanë interesim institucionet përkatëse dhe e kontraktojnë kompaninë për një qëllim të tillë, transmeton 2LONLINE.com.

Përndryshe, Ramaj ka apeluar që të gjithë të kemi kujdes që ta ruajmë mjedisin sepse kështu ruajmë shëndeti tonë dhe të ardhmen e fëmijëve tanë.

E kur jemi te apelet, Ramaj e ka një edhe për konsumatorët nga të cilët ka kërkuar që t’i paguajnë faturat për shërbimet që po i marrin sepse duke i paguar ato do të mundësohet kryerja e shërbimit të rregullt të bartjes së mbeturinave, obligimet ndaj punëtorëve dhe ndaj të tjerëve. Pra kompania “Ecohigjiena”, po vazhdon ta jep kontributin e saj në të mirë të higjienës dhe shëndetit publik, por ajo kërkon nga klientela që edhe ajo ta jep kontributin e saj duke i paguar faturat, në mënyrë që të ruajmë këtë shërbim vital publik për të gjithë qytetarët.


KOMENTE