“Ecohigjiena”, partneriteti më i dështuar në Republikën e Kosovës
/2L ONLINE/ – Çështja e Kompanisë “EcoHigjiena”, që këto ditë është bërë temë, më ka detyruar edhe mua që në cilësinë e anëtarit të Kuvendit Komunal të Gjilanit dhe të kryetarit të Komitetit për Shërbime Publike, ti them disa fjalë. Fillimisht dua ta jap konstatimin tim bazë se vlerësojë që Ecohigjiena sh.p.k, është partneriteti më i dështuari në Republikën e Kosovës dhe kjo për faj të partnerit joserioz që nuk i përmbahen marrëveshje mbi këtë partneritet që është bërë në mes të Komunës së Gjilanit dhe Mosser Group, në vitin 2012.
Shtrohet pyetja kush është ky partner privat? Kënd e përfaqëson ky njeri? Erdhi si investitor nga Austria, si një kompani serioze nga një shtet serioz, por që po del se nuk është i tillë. Vlerësojë që është shumë mirë që ka filluar të diskutohet për këtë çështje shumë të rëndësishme që ka të bëjë me këtë kompani dhe me këtë partneritet. Besoj se arenë diskutimi duhet të jetë edhe Komisioni i Aksionerëve, Bordi i Drejtoreve dhe menaxhmenti i kompanisë.
Marrëveshja e nënshkruar ka qene publike, vlerësimi i kompanisë KRM “Higjiena” Sh.A , është bere nga auditorë të pavarur, vlera e aseteve është ajo që është në marrëveshje 1,441,177 €. Por shtrohet pyetja cila është vlera e investuar nga investitori privat? Është paraparë afati investimit sipas marrëveshjes dhe dihet se investitori privat është dashur të kryej investime 1 milion e 500 mijë euro, sipas viteve ndaras 500,000.00 € për vitet 2012/2013/2014. Tani jemi në vitin 2016, dhe nuk janë bërë investimet e parapara.
Po ashtu nuk shohim se kemi as ndonjë plan më ndryshe të menaxhimit të mbeturinave, nuk ka as strategji, përveç kësaj nuk është ofruar as një rezultat për t’u bindur opinioni publik i Gjilanit se menaxhmenti di të menaxhojë me këtë kompani tejet e rëndësishme për komunën
Kontributet e palëve dhe kohëzgjatja e kësaj marrëveshje,besoj se duhet nënkuptuar sipas deklarimeve dhe raportet e paraqitura nga Komisioni i Aksionarëve, e ku shihet se nuk janë kryer obligimet që duhet ti realizojë partneri privat sipas planit dinamik të investimeve. Andaj dështimi i mospërmbushjes se kësaj marrëveshje nënkupton shkeljen e detyrimeve, komerciale, andaj aktualisht kapitali i dy palëve, përpjesëtimi i kontributeve 49% ai publik dhe 51% nga partneri privat, do të duhej të vlerësohej në mënyrë proporcionale sipas realizimit të investimeve të parapara në marrëveshje.
Tani, duke u bazuar në rezultatet e deritanishme, medoemos shtrohet pyetja se si të veprohet më tutje.. Duke u bazuar në raportet financiare si dhe kapitali i përbashkët në themelimin e ndërmarrjes në fjalë, me bashkimin e mjeteve dhe të kapitalit me partnerin privat, atëherë shihet qartë se objektivat e synuara nuk janë arritë dhe me këtë trend as që pritet të arrihen.
Rikujtojmë se pjesa publike në bazë të marrëveshjes, e ka përmbushur pjesë e saj, ka dhuruar ne dispozicion të gjitha asetet duke llogaritur infrastrukturën siç është objekti i ri, klientelën, pjesën e inkasimit, si dhe përmbushjen e aspekteve ligjore.
Andaj, duke parë performancën e deritanishme të partnerit privat, mospërmbushjen e obligimeve që i ka pasur sipas marrëveshjes së arritur, vlerësoj se autoriteti komunal, duhet ta rishikojë seriozisht edhe njëherë këtë partneritet publiko privat, në lidhje me këtë Kompani.
/Autori është këshilltar komunal në Gjilan nga radhët e LDK-së, njëherësh kryetar i Komitetit për Shërbime Publike Mbrojtje dhe Shpëtim/
