/2L ONLINE/ – Ashtu siç kishin paralajmëruar, bile për një gjë të tillë e kishin vënë në dijeni edhe kreun e Komunës së Gjilanit, sot ka filluar bojkoti i punës nga punëtorët e Kompanisë EcoHigjiena. Punëtorët po qëndrojnë brenda kompanisë por se, siç mëson Portali 2L ONLINE, sot nuk ka grumbullim të mbeturinave, nuk ka mirëmbajtje as dalje në terren për inkasim.
Këshilli i punëtorëve duket të jetë më i vendosur tani pasi ka paralajmëruar se reagimi i tyre i sotshëm nuk do të jetë sikurse disa reagime të fundit të saj që ishin simbolike, pasi reagimet e tilla ishin të kufizuara në kohë, ishin njëorëshe, por tani ata thonë se pavarësisht sa do të zgjasë kryeneçësia e atyre që duhet ndërmarrë masa, aq do të zgjatë edhe bojkoti.
Siç dihet, Këshilli i Punëtorëve i Kompanisë “EcoHigjiena” – Gjilan, Viti, Kamenicë, edhe në shkresën e fundit që i kishte adresuar Kryetarit të Komunës së Gjilanit, Lutfi Hazirit, por duke vënë në dijeni edhe Komisionin e Aksionareve dhe Bordin e Drejtorëve të kësaj Kompanie, kishte kërkuar të shkarkohet ushtruesi aktual i detyrës së kryeshefit, në këtë Kompani, dhe të emërohet një ushtrues i ri, në këtë pozitë, deri në zgjedhjen e kryeshefit sipas konkursit.
“I nderuari, Kryetar Haziri, me këtë njoftim ua bëjmë me dije se nëse me datë 14 Nëntor 2016 ashtu siç jeni deklaruar edhe ju për media, nuk shkarkohet nga pozita aktualisht U.D i Kryeshefit dhe nuk emërohet një U.D, i ri i Kryeshefit, në Kompani (nga brenda Kompanisë për një periudhë kalimtare), ne nga data 15 Nëntor 2016 do ta bllokojmë punën dhe nuk marrim asnjë përgjegjësi për situatën e krijuar dhe mbeturinat që mbesin tek qytetarët”, thuhet në shkresën që ditë më parë, përkatësisht me 11 nëntor, ky Këshill ia kishte adresuar kreut të komunës.
Përndryshe, punëtorët kanë edhe kërkesa të tjera, por vlerësohet se përmbushja e kësaj kërkese do ta ndalte bojkotin dhe për të tjera kërkesa do të përdoreshin rrugë tjera, si komunikimi mes palëve, ndërkohë që kanë kërkuar mirëkuptim nga qytetarët për këtë hap të tyre, por që sipas tyre, ishte e pashmangshme.
Ndërkohë , që greva po vazhdon mësohet se Bordi i Drejtorëve i kësaj Kompanie është duke mbajtur takim dhe pritet se çfarë vendime do të dalin nga ai takim. /2L ONLINE/