/2L ONLINE/ – “Ne i respektojmë komunat tona partnere Gjilan, Viti, Kamenicë dhe Novobërdë dhe jemi të interesuar për bashkëpunim. Udhëheqja e kompanisë nuk është detyrë e partnerit por, e menagjmentit dhe e bordit. Partnerët janë përgjegjës për orientimin strategjik dhe krijimin e kushteve të nevojshme në komuna. Përndryshe nuk ka mundësi që një operator shërbyes regjional të jetë i suksesshëm, ngase ka shumë interesa personale dhe politike, të cilat e pengojnë zhvillimin e kompanisë”.
Kështu shprehet Gerhard Dummer, përfaqësues i autorizuar i Moser-Group nga Austria, një ditë më pas, pasi kreu i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri kishte mbajtur një konferencë me gazetarë, pikërisht për çështjen e kësaj Kompanie, përkatësisht problemet në këtë Kompani. (shih shkrimin: Haziri: Asnjë punëtorë të mos largohet nga puna)
Më tej, sipas Dummer, menagjmenti dhe veçanërisht muajt e fundit i shumëdiskutuari drejtori ekzekutiv Senad Ramaj, kanë kryer detyrat e punës shumë mirë. Deri në qershor nuk kishte kurrë ankesa të punëtorëve dhe për herë të par kemi më shumë të hyra se shpenzime. Vetëm pas zaptimit ilegal të kompanisë në korrik 2016 nga dy ish drejtor të kompanisë, nga i cili njëri është edhe anëtar i komisionit të akcionerëve të Komunës së Gjilanit, kanë filluar problemet.
“Senad Ramaj dhe unë me ndihmën e policisë kemi rivendosur sërish ligjshmërinë aty. Që atëherë, ne pandërprerë jemi të paditur, të kërcënuar dhe së fundi edhe fizikisht të atakuar”, shprehet Gerhard Dummer, sipas të cilit, edhe pse që prej kohësh është e ditur, që këtu ekziston një konflikt i madh interesi, këto aktivitete po tolerohen nga përgjegjësit e Komunës së Gjilanit.
“Edhe ne qëndrojmë prapa punëtorëve dhe punonjësve tanë mirëpo, ne nuk tolerojmë aktivitete joligjore në dëm të popullatës. Nëse dikush ndjehet i trajtuar padrejtësisht , ai duhet të drejtohet gjykatës por, asessi të bllokon kompaninë”, ka thënë tutje Gerhard Dummer.
Përfaqësues i autorizuar i Moser-Group nga Austria tha se i respektojnë të gjitha marrëveshjet, ligjin e punës dhe po ashtu të gjitha ligjet tjera të Republikës së Kosovës. Për ta, një sistem i besueshëm gjyqësor, është shtylla e demokracisë dhe parakusht për investime ndërkombëtare. Sipas tij, Moser-Group deri më tani në Kompaninë Eco-Higjiena ka investuar 750.000 €, dhe në këtë mënyrë ka kontribuar në zhvillimin pozitiv të kompanisë.
“Nga këndvështrimi jonë gota është gjysmë e mbushur kurse nga këndvështrimi i përfaqësuesve të Komunës, gota është gjysmë e zbrazët. Ka 3 vjet që ne jemi duke dialoguar për këtë dhe nuk kemi arritur zgjidhje. Ka 3 vjet që nuk ka miratim për investime në tregje të gjelbërta mbi 1 milion Euro dhe ka 1 vjet që bllokohet fillimi i separimit të mbeturinave në Komunën e Gjilanit. Në këtë mënyrë po e humbim edhe përkrahjen e GIZ-it në këtë projekt nismëtar dhe investimin prej 400.000 €”, thotë Dummer, për të shtuar se: “Nëse komuna më e madhe partnere nuk është e kënaqur me të arriturat e deritanishme, ne mund të ndahemi po ashtu miqësisht siq edhe kemi filluar, mirëpo, ne presim një kompensim të drejtë për kontributet tona dhe nuk dëshirojmë të jemi të përzënë si qentë”.
Sipas Dummer, deri më tani ekzistojnë hendeqe të thella. “Urën mund ta ndërtojmë vetëm së bashku. Kjo vlen për punëtorët, për menagjmentin dhe natyrisht edhe për partnerët. Dyert tona kanë qenë dhe janë hapura përherë për bisedime konstruktive”, thotë në fund Gerhard Dummer, përfaqësues i autorizuar i Moser-Group nga Austria. /2L ONLINE/