Eco-Higjiena apelon për kujdes: Hiri dhe gacat e pashuara rrezikojnë punëtorët dhe komunitetin
Drejtuesit e Kompanisë “Eco-Higjiena”, përkatësisht të njësisë punuese në Kamenicë, u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shtojnë kujdesin gjatë hedhjes së mbeturinave, veçanërisht në këtë periudhë kur përdorimi i ngrohjes me dru është më i shpeshtë.
Përmes një njoftimi publik, drejtuesit e kësaj kompanie kanë tërhequr vërejtjen për rrezikun që paraqet hedhja e hirit dhe e gacave të pashuara në kontejnerët e mbeturinave, transmeton Portali 2LONLINE.
Sipas tyre, ky veprim mund të shkaktojë zjarr gjatë procesit të grumbullimit të mbeturinave, duke rrezikuar jo vetëm dëmtimin e kamionëve të kompanisë, por edhe jetën e punëtorëve dhe sigurinë e komunitetit.
“Ju lusim që hirin ta hidhni vetëm pasi të jetë ftohur plotësisht dhe të siguroheni se nuk përmban gaca apo prush të ndezur”, thuhet në apelin e drejtuesve të “Eco-Higjienës”, transmeton Portali 2LONLINE.
Në njoftim bëhet e ditur gjithashtu se ndaj çdo klienti që identifikohet duke mos respektuar këto udhëzime dhe duke rrezikuar sigurinë gjatë shërbimit, do të ndërmerren masat përkatëse.
Drejtuesit e njësisë punuese në Kamenicë rikujtojnë se parandalimi i aksidenteve është përgjegjësi e përbashkët. /2LONLINE/
