E vërteta mbi azilin në Francë!
Shkruan : Samet AZEMI
(2L ONLINE) – Duke parë dhe duke u ballafaquar çdo ditë me dhjetëra shqiptarë që vijnë nga Kosova për të kërkuar azil në Francë, ndjeva si obligim që të shkruaj dhe t’ju sqaroj të vërtetën qindra bashkëvendëseve të mi që po e marrin rrugën e Evropës.
Në fakt shumica e qytetarëve të Kosovës po vendosin që ta lënë Kosovën duke kaluar kufirin në mes të Serbisë dhe Hungarisë ilegalisht.
Në fakt edhe pushteti i Serbisë i ka mbyll sytë dhe po i lenë që të kalojnë ilegalisht kufirin mirëpo shteti i Hungarisë po thuajse të gjithë Kosovarët po i ndalon, po ju regjistron gjurmët e gishtërinjve dhe po ashtu po ju konfiskon dokumentet e identitetit si Letërnjoftimet, pasaportat, patentët e shoferit etj.
Autoritetet Hungareze po ashtu po i detyrojnë bashkëqytetarët e mi që të kërkojnë azil dhe kështu që po i regjistrojnë në bazë të Rregullores së Dublinit.
Pak sqarim Rregullorja e Dublinit është një rregullore Evropiane e cila përcakton përgjegjësinë e një shteti Evropian për të shqyrtuar kërkesën e azilit në bazë të Konventës së Gjenevës, që i bjen në rast se kërkojmë azil me një shtet të Bashkimit Evropian, nuk mundemi të kërkojmë azil në ndonjë shtet tjetër të Bashkimit Evropian.
Kështu që shumica e qytetarëve të Kosovës që autoritetet Hungareze ju kanë marrë gjurmët e gishtërinjve ata nuk kanë të drejtë të kërkojnë azil në Francë.
Dy apo tre muajt e fundit shumë qytetarë të Kosovës kanë arrit të Francë, ku autoritetet franceze ju kanë marrë gjurmët e gishtërinjve dhe momentin që kanë rezultuar se kanë kërkuar azil në Hungari, këta qytetarë mjerisht nuk kanë asnjë të drejtë në Francë, dhe shumica prej tyre janë duke jetuar nëpër Salla Sportive të Gjimnazeve, nëpër baraka të ndryshme, nëpër qendra kolektive, pa pasur të drejt asistence financiare përveç gjërave elementare ushqimore.
Për të gjithë këta njerëz Autoritetet Franceze janë duke pritur dritën jeshile nga Autoritetet Hungareze që këta ti kthejnë në Hungari për ta vazhduar ekzaminimin e Kërkesës së tyre të azilit.
Duke biseduar me këta qytetarë të Kosovës, shumë nga ta na thonë se nuk kanë më edhe ku të kthehen, sepse kanë shitë banesat e tyre, shtëpitë e tyre, veturat e tyre me të cilat kanë punuar, kanë mbyll lokale e shumë çka tjetër.
I kisha lutë bashkëqytetarët e mi që mos ta lëshojnë vendin e tyre e të vijnë të kalojnë disa muaj nëpër vendbanime me kushte katastrofale në Francë, sepse shumica prej tyre kanë me pritë disa muaj dhe në fund kanë me u detyrua që me u kthye në Hungari, e më pastaj duke i parë procedurat e komplikuara të Shtetit Hungarez kanë me pritë edhe disa muaj për me mujtë me u kthye në Kosovë.
Duke qen drejtpërsëdrejti i kyçur në shqyrtimin e kërkesave të azilit në cilësinë e përkthyesit, mundem me ju konfirmua se asnjë qytetarë i Kosovës i cili ka kaluar nëpër Hungari dhe Autoritetet e Hungarisë i kanë marrë gjurmët e gishtërinjve, asnjë nga këta persona nuk munden që të paraqesin kërkesën e tyre për azil në Francë, dhe asnjë nga këta qytetarë të Kosovës nuk munden të qëndrojnë si kërkues azili në Francë, mirëpo këta do të qëndrojnë vetëm disa ditë deri sa Autoritetet Hungareze të organizojnë kthimin e tyre.
Ju kisha bërë thirrje të gjithë bashkëqytetarëve të mi që mos ta marrin një mundim të till pasi që nuk ja vlen dhe përveç harxhimeve dhe maltretimeve të mëdha asgjë nuk përfitojnë. /2L ONLINE/
/Autori është psikolog, përkthyes në qytetin e Clermont Ferrand në Francë/
