/2L ONLINE/ – Përfaqësues të PDK-së së Gjilanit nuk hezitojnë ta urojnë Lutfi Hazirin e LDK-së, për mandatin e ri si kryetar dege të subjektit të tij politik, dhe thonë se do ta uronin edhe po që se ai do të arrinte të bëhej edhe kryetar i LDK-së, por se nuk e duan si kryetar komune pasi, siç shprehen ata, po qeverisë keq me Gjilanin.
Riad Rashiti, anëtar i Kuvendit Komunal të Gjilanit nga radhët e PDK-së, thotë se e uron Hazirin për zgjedhjen kryetar dege, i LDK-së në Gjilan dhe se do ta uronte edhe po të zgjidhej edhe në qendër kryetar i LDK-së, por se do të donte ta shihte se si largohet nga pozita e kryetarit të komunës , sepse as nuk po di, as nuk po mundet me qeverisë mirë me Gjilanin.
Përkundrazi, siç thotë Rashiti, Haziri po keq-qeverisë me komunë dhe pasojat për këtë po i bartin qytetarët gjilanas që me ketë qeverisje aktuale në Gjilan, në krye me Hazirin, nuk do të presin ditë të mira asnjëherë.
“Për këtë një vit e gjysmë të qeverisjes së tij me Gjilanin, Haziri nuk e ka përmbushur asnjë premtim të dhënë përgjatë fushatës, çka po del se e ka mashtruar, në rend të parë elektoratin e tij të LDK-së, por edhe qytetarët në përgjithësi. Ai edhe sot në vend se të punojë bënë fushata”, shprehet për Portalin 2L ONLINE. Riad Rashiti i PDK-së.
Sipas tij, Haziri e ka degraduar funksionimin e institucioneve të komunës, e ka ulë nivelin e investimeve në çdo fushë, e ka bërë Gjilan qendër biznesi për klanin dhe shoqërinë e tij të ngushtë, derisa në anën tjetër biznesin e komunës po e ngulfat deri në falimentim.
Rashiti tha se qeverisja komunale në vend se të jetë në rolin e saj, për të punuar në rritjen e zhvillimit ekonomik dhe të mirëqenies së qytetarëve, Haziri e ka instaluar një frymë të tillë të qeverisjes që komunën e Gjilanit e ka shndërrua në një komunë për gjynah dhe pa perspektivë.
“Si kryetar komune, Lutfi Haziri i ka të gjitha mundësitë politike për t’i realizuar premtimet e dhëna, por për të realizuar edhe projekte tjera me interes për Anamoravën, por që fatkeqësisht deri më tani nuk po e bënë një gjë të tillë, andaj do të ishte mirë të tërhiqej nga të qenit kryetar komune”, ka thënë Riad Rashiti, anëtar i Kuvendit komunal të Gjilanit nga radhët e PDK-së. /2L ONLINE/